Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në të cilën kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi sërish afat shtesë për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, për të biseduar me partitë për çështjen e presidentit, me qëllim shmangien e shkuarjes së vendit në zgjedhje, raporton Ekonomia Online.
Hoxhaj e ka cilësuar seancën e sotme si “seancë të turpit” dhe ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e trajton Kuvendin si pronë të saj.
“Sot, siç edhe e patët, patëm një seancë të turpit, e cila seancë ishte demonstrim i asaj se çfarë po ndodh sot. Nëse dje simbolikisht ia bunë dritën e sallës së Kuvendit, sot ia kanë ndalur dritën e demokracisë. Meqë sot ka qenë dita kur do të duhej të proposedhej emri dhe të votohej kandidatët për kryetar të Kuvendit dhe të konstituohet Kuvendi si i tillë.”
Sipas tij, ajo që ndodhi në Kuvend ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe procedurat parlamentare.
“Një gjë të tillë Lëvizja Vetëvendosje, e cila po e konsideron Kuvendin si një pronë apo të saj, dhe ne si Parti Demokratike e Kosovës e shprehim shqetësimin tonë sepse ajo çfarë ndodhi sot ka qenë një seancë antikushtetuese, antidemokratike, jashtë çdo procedure në fuqi të Kuvendit të Kosovës. Dhe presim që qytetarët e Republikës së Kosovës ta shohin këtë situatë, ta gjykojnë këtë situatë dhe ta dënojnë këtë subjekt politik, i cili subjekt politik e ka sjellë vendin në buzë të greminës.”
Hoxhaj ka shkuar edhe më tej, duke thënë se Kosova nga sot nuk ka më demokraci dhe se, sipas tij, institucionet demokratike janë suspenduar.
“Kosova prej sot nuk ka më demokraci. Këtë vend nuk ka as kushtetutë, as rend kushtetues. Zoti Kurti i ka shkatërruar, i ka suspenduar të gjitha institucionet demokratike të këtij vendi dhe është ndër ditët më të rënda që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës prej ekzistencës së saj si shtet sovran dhe i pavarur.”
I pyetur nëse PDK-ja do të ndërmarrë veprime politike lidhur me situatën, Hoxhaj tha se partia e tij do ta mbrojë rendin kushtetues “në çdo formë dhe në çdo mënyrë”.
“Ne si Parti Demokratike e Kosovës jemi ata të cilët në çdo formë dhe në çdo mënyrë do ta mbrojmë rendin kushtetues të vendit. Brenda Kuvendit dhe jashtë Kuvendit, me qëndrime politike dhe me veprime konkrete. Prandaj tani është më se e rëndësishme që secili ta kuptojë që Kosova ka hyrë në një fazë të re.”
Hoxhaj i ka bërë thirrje Kurtit që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke theksuar se konstituimi i Kuvendit është proces i ndarë nga zgjedhja e presidentit dhe formimi i qeverisë.
“E ftojmë zotin Kurti që ta propozojë kandidatin e tij për kryetar të Kuvendit, që të konstituohet Kuvendi. Konstituimi i Kuvendit nuk ka lidhje me atë se kush bëhet president dhe si formohet qeveria, është një proces totalisht i ndarë, prandaj edhe është koha e fundit që një gjë e tillë të bëhet edhe të ndodhë”, u shpreh ai.
Ai ka kritikuar Kurtin edhe për gjendjen institucionale në vend, duke thënë se Kosova është përballur me një situatë të paprecedentë.
“Mjerisht, ajo çfarë po shohim jo vetëm dje, mbrëmë, edhe sot, por çfarë kemi parë në këto dy vitet e fundit, është që në këtë vend ka vetëm një periudhë të shkurtër të asaj se çfarë është demokraci por edhe barazi gjinore. Para barazisë gjinore dhe pas barazisë gjinore nuk ka më sistem demokratik, sepse zoti Kurti e ka uzurpuar pushtetin dhe ju jeni në një situatë që sot ky vend nuk ka njësoj president si institucion, sepse presidenti është institucion, nuk ka Kuvend si institucion, por nuk ka as qeveri si institucion, meqë të gjitha këto në këto dy vitet e fundit janë ushtrues të detyrës, një situatë e paprecedentë në historinë e demokracisë së Kosovës”, tha Hoxhaj.
I pyetur për aspektin politik, juridik dhe kushtetues të situatës, Hoxhaj është thirrur në vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Mendoj që Gjykata Kushtetuese është e qartë në formën e kristaltë, e cila në aktvendimet e saja, në aktgjykimet e saja, ka sqaruar situatën e cila ka dalë deri mbrëmë. Që brenda 30 ditësh do të duhej të zgjidhej kryetari i Kuvendit, nënkryetarët e Kuvendit dhe të konstituohet Kuvendi. Unë nuk mendoj që beteja bëhet vetëm ligjore, mendoj që beteja është mbi të gjitha e natyrës politike, por qytetarët e Kosovës duhet ta dinë një gjë: që ky vend ka lëvizur drejt një anarkie të plotë, totale.”
Hoxhaj ka fajësuar drejtpërdrejt Kurtin dhe Vetëvendosjen për situatën që, sipas tij, po përjeton vendi.
“Burimi i kësaj anarkie është zoti Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Dhe ne si deputetë të Kuvendit të Kosovës që dje jemi betuar, kur betohemi, ne betohemi që do ta mbrojmë integritetin institucional. Dhe ky integritet institucional është shkelur mbrëmë në orën 12:00 të natës dhe si i tillë nuk ekziston më”, shtoi Hoxhaj.
