Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, e ka vlerësuar si një “arritje serioze” fillimin e bartjes së përgjegjësisë për sigurinë e Manastirit të Deçanit nga KFOR-i tek Policia e Kosovës.
Përmes një postimi, Ramadani ka thënë se ky zhvillim dëshmon gatishmërinë e institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për sundimin e ligjit.
“Fillimi i bartjes së përgjegjësisë për sigurinë e Manastirit të Deçanit nga KFOR-i tek Policia e Kosovës është veprim fantastik që dëshmon gatishmërinë e Kosovës dhe popullit tonë për sundim të ligjit”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se, në një periudhë kur KFOR-i po rishikon kapacitetet e tij në aspektin operativ, fakti që Manastiri i Deçanit mund të sigurohet nga Policia e Kosovës përbën një vlerësim për kapacitetet e vendit.
“Në një periudhë të ri-vendosjes së kapaciteteve të KFOR-it në aspektin operativ, vlerësimi që Manastiri i Deçanit mund të ruhet nga Policia e Kosovës tregon vlerësim për Kosovën”, ka deklaruar ai.
Në fund, Ramadani ka përgëzuar Komunën e Deçanit dhe banorët e kësaj ane, Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për këtë zhvillim.