Mustafa: Procesi i krijimit të institucioneve të vendoset brenda rendit kushtetues

Prishtinë | 10 Gus 2026 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Ish-profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, njëherësh ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, ka reaguar lidhur me situatën politike që e ka përfshirë vendin tash e sa kohë.

Ai ka thënë se deputetët, me betimin e tyre në legjislativin e vendit, kanë përgjegjësinë që me urgjencë të ndërmarrin veprime që i gjithë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera të vendoset brenda rendit kushtetues.

“Për këtë nevojitet veprimi i tyre dhe në situatën e dhënë edhe drejt Gjykatës Kushtetuese, me prioritet dhe urgjencë. Situata nuk duhet të rrëshqasë më tutje në zonën e kontestuar, përkatësisht jokushtetuese.”, ka thënë ai.

Mustafa ka shtuar se duhet veprime konkrete për të shmëngur rreziqet që prodhon një situatë e tillë politike, sepse sipas tij, ajo prekë edhe sektorë të tjerë.

“Tolerimi i kësaj situate e shpie vendin në rreziqe të paparshikueshme dhe në përshkallzim të jostabilitetit politik, ekonomik e social, të cilin duhet evituar me veprim të përgjgjshëm të partive politike dhe angazhimin qytetar dhe intelektual.”, ka thënë ai.

Të ngjashme