Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar ashpër ndaj deklarimit të Avni Deharit se nuk do ta ftojë seancën e radhës për konstituimin e Kuvendit pa arritjen e një marrëveshjeje politike.
Selmanaj e ka cilësuar si “skandaloze dhe të rrezikshme për demokracinë kushtetuese” arsyetimin se për mosveprimin në këtë rast “nuk ka sanksione”.
“Republika nuk mund të funksionojë mbi logjikën: ‘Nëse nuk ka sanksion, nuk ka detyrim!’”, ka shkruar Selmanaj.
Sipas tij, respektimi i Kushtetutës dhe i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është themeli mbi të cilin funksionon Republika e Kosovës.
Ai ka paralajmëruar se pranimi i një logjike të tillë si standard institucional do të nënkuptonte që çdo obligim kushtetues të varej nga ekzistenca e një dënimi apo sanksioni.
“Dhe në atë moment, Kushtetuta pushon së qeni Kushtetutë”, ka deklaruar Selmanaj.
Ish-deputeti i LDK-së ka kritikuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar Deharin se është bërë “maskotë politike” e një logjike që ai e konsideron “anti-shtetërore”.
Selmanaj ka rikujtuar edhe raste të mëhershme kur aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë sjellë pasoja politike e institucionale, duke përmendur ish-presidentët Fatmir Sejdiu dhe Behxhet Pacolli, si dhe qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti.
“Me këtë logjikë, as ish-presidentët Fatmir Sejdiu e Behxhet Pacolli nuk do të duhej të largoheshin nga posti i Presidentit. As qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti nuk do të duhej të largohej nga detyra. Sepse edhe atëherë mund të thuhej: ‘Nuk ka sanksion’”, ka shkruar ai.
Në fund, Selmanaj ka theksuar se Kushtetuta nuk është një dokument që zbatohet vetëm kur ekziston frika nga ndëshkimi.
“Një Republikë ku Kushtetuta zbatohet vetëm kur ekziston frika nga ndëshkimi, nuk është Republikë e së drejtës. Është Republikë e ARBITRARITETIT POLITIK”, ka përfunduar Selmanaj.