Një mërgimtar, që sot shkoi në Kuvend ku u hapen dyert për vizitorë nga diaspora, ka protestuar përmes një pankarte ku shkruante: “Kurti n’burg”, raporton Ekonomia Online.
Pas aksionit të tij, Fatmir Bytyqi tha se qëndrimi i tij lidhet me, siç e konsideron ai, shkeljen e rendit kushtetues dhe ligjor në vend.
Ai tha se ligjet dhe normat kushtetuese duhet të respektohen pa ekuivokë, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të protestojë edhe në raste të tjera.
Ai shtoi se iu desh mbrojtja nga sigurimi i Kuvendit për shkak të mërgimtarëve të tjerë që e kundërshtuan protestën e tij në Kuvend.
“Derisa ajo është në fuqi, çdo ligj, çdo normë, duhet me u respektu pa asnjë ekuivoke. Se unë do ta bëj këtë protestë këtu, mund ta shihni para zgjedhjeve. Një ditë para zgjedhjeve kam bërë tre postime në Facebook ku kam paralajmëruar se, ne si qytetarë, të cilët me shekuj me radhë kemi sakrifikuar për këtë kushtetutshmëri, do ta mbrojmë këtë. Nuk do t’i mbyllim sytë. Kjo është puç i rendit ligjor. Nuk mundet shoqëritë me u zhvillu në gjendje anarkike. Kushtetutshmëria duhet me u mbrojt nga secili prej neve pa asnjë pyetje. Nuk guxon askush të pyesë pse është ky ligj, derisa ligji është në fuqi. Mesa unë kam mund me e kuptu, nga leximi im i Kushtetutës së Kosovës, është shkelë afati dhe çdo vendim që mund të merret jashtë afatit, është jashtë kushtetutshmërisë”, tha ai.
Por, dikush nga mërgimtarët e pranueshëm ia hoqën nga duart këtë pankartë protestuesit.
Kjo erdhi pas një përplasje që patën deputetë nga PDK dhe Aleanca me ata të Vetëvendosjes.

