Deputeti i LVV-së, Ardian Gola, ka ofenduar deputetët e ish-partive opozitare, duke e ndërlidhur situatën aktuale me ta me një thënie të vjetër popullore.
“U përballëm me një histeri sulmesh, zhurmash që pamundësonin çdo debat në minimumin e racionalitetit. Është një thënie popullore: ‘I mençmi merr mësim prej gabimeve të të tjerëve, budalla merr mësim prej gabimeve të veta’. Fatkeqësisht opozita s’është t’u marrë mësim as prej gabimeve të veta, dhe kjo është fatkeqësia e jetës parlamentare në Kosovë”, u shpreh Gola për Klan Kosova.
Ai tha se janë të interesuar për t’i dhënë institucione vendit, por shtoi se nuk ia mundësojnë partitë tjera. “Pas zgjedhjeve të dhjetorit, e bëmë Kuvendin dhe Qeverinë, sepse ashtu na mandatuan qytetarët, i kishim votat e mjaftueshme. E çka thanë opozita? ‘Jaa, pa marrëveshje s’ka konstituim të institucioneve. Tash i ke kry, veç në zgjedhje’. E tash kur po kërkojmë marrëveshje politike, po thonë ‘jo, konstituojeni Kuvendin’. Pra, ka këtu njëfarë inkonsistence politike, edhe në të kuptuarit e realitetit politik, por edhe në ndërmarrjen e hapave politikë për me zgjidh çështjet kontestimore”, deklaroi deputeti i LVV-së.
Duke komentuar akuzat e partive tjera për shkelje kushtetuese me mos-konstituimin e Kuvendit, Gola e dha interpretimin e vet të aktgjykimit kushtetues: “Interpretimi ynë është ky: prej momentit kur ka nisur konstituimi i Kuvendit, pra është një seancë e pambyllur, dhe pse nuk është mbyllur? Pikërisht nga përgjegjësia që e kemi si deputetë, që të arrihet një marrëveshje mes LVV-së dhe partive që aktualisht janë në opozitë. Fatkeqësisht është që presidenti po përdoret si levë politike për të shantazhuar vazhdimisht qeverinë dhe Kuvendin. Me fjalë tjera, ne nuk po duam ty me të leju me krijuz edhe Kuvendin edhe qeverinë, sepse nesër ta zëmë ditën me Presidentin, dhe kjo nuk është korrektësi politike, por është fatkeqësi për shtetin”.
Në fund, ai me ironi falënderoi deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, për, siç tha, “freskimin në këto ditë vere”.
“Faleminderit Ganës për një freski që ma dha në këto ditë vere me ujë”, u shpreh në fund deputeti Ardian Gola.