Rinia e Aleancës aksion para Qeverisë: Bllokada po i shtyn rininë të ikin nga Kosova
Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Rinia e Aleancës ka zhvilluar një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, duke përcjellë një mesazh të qartë për nevojën e krijimit të mundësive për të rinjtë.
Përmes pankartave me mesazhe për punë, mundësi dhe një të ardhme në Kosovë, të rinjtë e Aleancës kanë kërkuar më shumë perspektivë dhe kushte që do t’i motivojnë të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre në vend.
Rinia e Aleancës ka theksuar se, në një kohë të bllokadave institucionale, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës, gjithnjë e më shumë të rinj po e shohin largimin nga Kosova si alternativë.
“Mos e largoni rininë nga Kosova. Krijoni arsye që të rinjtë të qëndrojnë”, ishte mesazhi i tyre.