Zgjedhjet e 7 qershorit vlerësohen të lira dhe konkurruese, por kërkohet hetim për votimin jashtë vendit

Prishtinë | 13 Gus 2026 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit u vlerësuan si përgjithësisht të lira, konkurruese dhe të drejta, me një administrim kryesisht profesional dhe pa probleme që do të cenonin integritetin e përgjithshëm të procesit, raporton Ekonomia Online.

Megjithatë, vëzhguesit kanë evidentuar një sërë sfidash që kërkojnë trajtim të mëtejshëm, nga qasja në vendvotime dhe zbatimi i procedurave, te votimi jashtë vendit dhe ndikimi i mjedisit digjital.

Këto gjetje dhe rekomandime u diskutuan në konferencën e organizuar nga “Demokracia në Veprim”, me temën “Forcimi i Integritetit Zgjedhor: Gjetjet dhe Rekomandimet nga Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2026”, ku u theksua se përmirësimi teknik i proceseve zgjedhore duhet të shoqërohet edhe me forcimin e besimit të qytetarëve dhe funksionalitetit institucional.

Eugen Cakolli nga KDI tha se zgjedhjet e 7 qershorit kanë qenë teknikisht më të mira se proceset paraprake, duke shtuar se në mesin e çështjeve që kërkojnë trajtim të mëtejshëm është përmendur edhe votimi jashtë vendit.

“Zgjedhjet e 7 qershorit janë zhvilluar përgjithësisht në përputhje me standarde demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të drejta. Administrimi i procesit ishte në përgjithësi profesional dhe DNV nuk ka evidentuar probleme, që do ta cenon integritetin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Teknikisht këto zgjedhje ishin dukshëm më të mira se ato që lamë pas, por politikisht këto zgjedhje, janë dëshmi se vendi po hyn në zgjedhje për shkak të krizave, që nuk zgjidhen përmes zgjedhjeve. KQZ, në pjesën dërmuese ka administruar procesin në mënyrë profesionale, sesa në të gjitha proceset paraprake.. Sa i përket votimit jashtë vendit, ky proces ka qenë më pak i politizuar dhe më i rregullt, por që mbetet një çështje serioze, e cila kërkon trajtim nga ana e institucioneve të hetuesisë, që ndërlidhet me rastet e publikimit në rrjete sociale të grupeve të organizuara të votuesve që plotësonin numër të madh të fletëvotimeve”, tha Cakoli.

Kurse, zëvendësambasadori i Zvicrës, Christoph Fuchs, tha se zgjedhjet janë zhvilluar në një mjedis të qetë, konkurrues dhe paqësor, ndërsa vlerësoi punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Zgjedhjet e fundit janë bërë në një mjedis të qetë, kompetitiv dhe paqësorë. KQZ ka administruar shumicën e rasteve profesionalisht dhe PZAP po ashtu ka treguar profesionalizëm, këto janë arritjet e rëndësishme. Raportet tregojnë për vështirësi në gjetjen e pikave të votimit të tyre, mungesa në qasje për persona me aftësi të kufizuara dhe aplikimi konsistent i procedurave dhe sfidat në mjedisin digjital informativ. Këto, nuk janë qasje vetëm teknike, ka mungesë në besim, qytetarët duhet të besojnë se ligjet, aplikohen për të gjithë paralel dhe se vota është e mbrojtur dhe e fshehur. Zgjedhjet nuk i zëvendësojnë institucionet funksionale, akterët politik duhet të jenë në gjendje të mos pajtohen, pa lejuar që të parandaloj funksionalizimin institucional. Dalja e ulët në votim ka theksuar nevojën për institucionet efektive”, tha ai.

Ndërsa, Mirnije Stublla, menaxhere e Programit në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, tha se vëzhgimi dhe monitorimi i zgjedhjeve luajnë rol kyç dhe të pazëvendësueshëm në forcimin e besimit të publikut dhe garantimin e transparencës së procesit zgjedhor.

Ajo tha se çdo gjetje, rekomandim apo propozim kontribuon në përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit zgjedhor dhe në reformat e ardhshme.

Stublla tha se zgjedhjet parlamentare në Kosovë dëshmuan përkushtimin e vazhdueshëm të vendit ndaj parimeve demokratike dhe se procesi ishte, në përgjithësi, i qetë dhe i administruar mirë.

Rezarta Delibashzade-Krasniqi, gjatë prezantimit të raportit të monitorimit të mediave sociale, tha se janë monitoruar 152 portale që operojnë në Kosovë në gjuhën shqipe dhe serbe.

Ajo tha se gjatë monitorimit sistematik janë evidentuar 423 shkelje, kryesisht gjuhë e urrejtjes në faqet zyrtare në Facebook, të bëra kryesisht nga palët e treta.

Sipas saj, më së shumti shkelje janë bërë në Facebook dhe TikTok. Ajo tha se gjuha e urrejtjes ishte më e përdorura gjatë kësaj fushate.

Delibashzade-Krasniqi tha se kandidatët individualë të subjekteve politike kanë qenë më të shënjestruarit, ndërsa gratë kandidate kanë vazhduar të përballen me sulme disproporcionale në krahasim me burrat.

Ndërkaq, Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja Fol, prezantoi raportin e monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore.

Ajo tha se janë monitoruar 11 televizione në nivel kombëtar, nëntë në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën serbe, mbi 11 orë kronika zgjedhore dhe 183 orë debate televizive.

Sipas të dhënave të monitorimit, PDK kishte mbulimin më të madh me 24%, e ndjekur nga LDK me 23%, LVV me 22% dhe AAK me 21%. PSD dhe Lista Serbe kishin më pak hapësirë, me 6% respektivisht 3%.

Në kronikat zgjedhore, kandidatët për kryeministër që kanë dominuar hapësirën ishin Albin Kurti me 74, Bedri Hamza me 65, Ardian Gjini me 40, Lumir Abdixhiku me 35 dhe Dardan Molliqaj me 11.

Demolli-Nimani tha se vëmendja në kronikat partiake është përqendruar kryesisht te liderët, duke lënë hapësirë dukshëm më të vogël për kandidatët e tjerë për deputetë.

Sa i përket debateve televizive, ajo tha se rreth 94% e debateve kanë qenë vetëm me një subjekt apo kandidat, ndërsa vetëm 9 kanë qenë duele mes dy subjekteve politike.

Ajo theksoi edhe pabarazinë gjinore në debate, duke thënë se nga 200 paraqitje, 19% ishin gra dhe 81% burra.

Sipas saj, cilësia e debatit publik është karakterizuar më shumë nga akuzat mbi programet sesa nga diskutimi i programeve të partive politike.

Demolli-Nimani tha se debatet ofruan pak hapësirë për testim kritik të realizueshmërisë financiare të premtimeve elektorale dhe se sfidë mbetet krijimi i një strukture debati që do t’i detyrojë subjektet politike të shpjegojnë qartë se çfarë premtojnë, si do t’i realizojnë dhe kush duhet të mbahet përgjegjës për këto premtime.

Të ngjashme