Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, priti sot në takim një delegacion nga Bangladeshi, të kryesuar nga Ambasadori Md. Nazrul Islam dhe z. S.M. Mahbubul Alam, të shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Bangladesh, z. Lulzim Pllana.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Bangladeshit, si dhe për mundësitë konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë me potencial të lartë, veçanërisht në industrinë farmaceutike, bioteknologji dhe teknologjinë informative.
Një fokus i veçantë iu kushtua krijimit të mundësive të reja për bashkëpunim biznes me biznes, përfshirë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Dhomës së Tregtisë së Dakës (DCC). Po ashtu, u diskutua mundësia që kompanitë nga Bangladeshi të hapin linja prodhuese në Kosovë dhe ta shfrytëzojnë vendin si pikë për zgjerim drejt tregjeve evropiane.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për investime, falë afërsisë me tregun e Bashkimit Evropian, politikave fiskale, fuqisë punëtore konkurruese dhe mundësive për qasje në tregjet evropiane përmes CEFTA-s dhe EFTA-s.
Në takim u diskutua gjithashtu për nisjen e procesit për një marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Bangladeshit. Një marrëveshje e tillë do të mund të krijonte mundësi të reja për rritjen e shkëmbimeve tregtare, nxitjen e investimeve dhe forcimin e partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Takimi u zhvillua në frymën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe identifikimit të hapave konkretë për të afruar komunitetet e biznesit të Kosovës dhe Bangladeshit.