Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se PDK-ja do të jetë e pranishme në Kuvendin e Kosovës të premten.
I ftuar në në T7, Gruda tha se deputetët e PDK-së do të paraqiten në Kuvend në orën 11:00.
“Ne do të jemi në orarin tonë, në orën 11:00, do të presim të vijë Avni Dehari dhe VV-ja. Në sallë do të hyjmë dhe dera e sallës në Kuvend nuk guxon të jetë e mbyllur”, tha Gruda.
Ai kritikoi mënyrën e udhëheqjes së seancës konstituive nga kryesuesi Avni Dehari, duke pretenduar se atij i është dhënë fjala kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, ndonëse më herët, sipas tij, nuk ishte lejuar debat.
“Shkova te Avni Dehari dhe i thashë, a të kujtohet çka ndodhi vitin e kaluar, a ke thënë që nuk lejohet debat, pse ia lejove këtë e jo neve. Më tha ‘jua jap herën tjetër’, por as herën tjetër nuk na dha fjalën”, deklaroi Gruda.
Sipas tij, situata aktuale institucionale në vend është jashtëzakonisht e rëndë.
“Jemi në kushte të anarkisë të plotë”, tha deputeti i PDK-së.
Gruda foli edhe për ofertën që, sipas tij, PDK-ja ka marrë nga Lëvizja Vetëvendosje për bashkëpunim në formimin e institucioneve.
Ai tha se PDK-së i është ofruar posti i kryetarit të Kuvendit, të cilin e cilësoi si funksion kryesisht ceremonial në raport me kompetencat e tjera institucionale.
“Neve na ka ofruar vetëm kryetarin e Kuvendit, është ceremonial. Me 22 deputetë me marrë spikerin e Parlamentit edhe me vazhdu Kurti me marrë presidentin e krejt…”, tha Gruda.
Gruda nuk dha detaje të tjera për qëndrimin e PDK-së rreth ofertës, por konfirmoi se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit.