Paqëndrueshmëria politike kërcënon investimet dhe projektet e mëdha në Kosovë

Prishtinë | 16 Gus 2026 | 08:00 | Nga Gzim Mujaj

Ngërçi politik në Kosovë po shkakton pasoja të mëdha në ekonomi, duke rrezikuar investimet e huaja, fondet ndërkombëtare dhe projektet e mëdha, ndërsa paqëndrueshmëria institucionale po dëmton edhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare, vlerësojnë ekonomistë dhe analistë politikë, raporton Ekonomia Online.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se Kosova është shndërruar në një shtet jo-serioz dhe se vazhdimi i paqëndrueshmërisë politike mund të ndikojë në uljen e angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare.

“Tashmë Kosova është shndërruar në një shtet jo-serioz, në një aleat të cilit nuk mund t’i besohet për projekte të mëdha, të rëndësishme dhe afatgjate, sepse ky jo-stabilitet është bërë, kronik edhe, është e qartë që spektri politik kosovar, veçanërisht, fituesit e zgjedhjeve, nuk kanë ndonjë plan për sjellje normale, realiste, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare gradualisht, do ta ulë nivelin e angazhimit politik nëse vazhdohet kështu, gjë që do të jetë e tmerrshme për ne”, tha ai.

Muhaxhiri ka paralajmëruar se pasojat e një situate të tillë do të jenë të shumëfishta, duke përfshirë ekonominë, politikën dhe imazhin e Kosovës.

“kjo do të shkaktojë humbje të mëdha, shumë-dimensionale, politike, ekonomike edhe të imazhit, pasi Kosova do të mënjanohet nga projektet e mëdha edhe problemi është që kjo do të ndikojë në stagnim të plotë edhe të rrugës evropiane edhe të zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror në përgjithësi”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se ngërçi politik po krijon paqartësi të mëdha ekonomike dhe po dëmton raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Ngërçi politik i cili tashmë është krijuar artificialisht dhe tash dihet se partia e cila ka fituar zgjedhjet nuk është e interesuar t’i bëjë institucionet, po krijon turbulenca të mëdha ekonomike, diplomaci, po krijon paqartësi të mëdha, fiksim dhe tentim për të ndryshuar vetë statutin e gjithë çështjes politikës dhe mendoj që ky ngërç politik tregon papjekuri politike, tregon mosrespektim të vullnetit të popullit, mosrespektim të Kushtetutës dhe shkelje të rëndë të Kushtetutës. Kemi humbur qindra miliona euro nga Bashkimi Evropian, jemi të sankcionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më herët gjithashtu nga BE-ja, për shkak të papjekurisë politike. Tashmë po shohim që faktori ndërkombëtar është vetëm si shikues dhe po shohim që neve ende na duhet një trysni ndërkombëtare dhe ajo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të kuptuar se shteti nuk mbahet me inate dhe Kushtetuta duhet respektuar, ata që shkelin Kushtetutën duhet vënë para drejtësisë dhe ata që kanë përgjegjësi duhet të japin përgjegjësi para popullit”, ka deklaruar ai.

Shahini ka paralajmëruar se vazhdimi i ngërçit politik mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në investimet e huaja.

“Nëse vazhdon edhe më tutje ky ngërç politik, Kosova do të dërgojë mesazh negativ se nuk akteret politikë të tanishëm nuk dinë të udhëheqin shtetin. Do të dërgojnë mesazh të frikësimit të për të bërë biznes, sepse në një vend ku politika është mbi ekonominë dhe ku politika dikton në ekonomi, e kemi parë në disa raste, atëherë investitorët e huaj nuk vijnë për të investuar në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme