Një 17-vjeçar irlandez ka humbur jetën tragjikisht gjatë pushimeve në ishullin grek Kimolos, pasi dyshohet se u godit nga rryma elektrike teksa po bënte dush.
Alex M. po qëndronte me familjen në një shtëpi prej guri më shumë se 50-vjeçare, të cilën familja e përdorte rregullisht gjatë pushimeve.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, i riu mori kokën e dushit dhe pak çaste më vonë u rrëzua, transmeton Klankosova.tv.
Autopsia konfirmoi se ai kishte vdekur nga goditja elektrike. Edhe nëna e tij dyshohet se ndjeu një shkarkesë elektrike kur tentoi t’i afrohej.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për instalimin elektrik të shtëpisë dhe ngrohësin e ujit, ndërsa po shqyrtohet edhe nëse në kutinë elektrike mungonte ndonjë pajisje mbrojtëse.
Alex ishte nxënës i dalluar në qytetin e tij të lindjes, Cork, dhe kishte marrë çmime për një projekt të zhvilluar së bashku me dy bashkëmoshatarë, që synonte të ndihmonte personat me autizëm joverbal.