Pastori që pa Hiroshimën duke u djegur

Prishtinë | 18 Gus 2026 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Kujtimet e Kiyoshi Tanimotos rikujtojnë momentin tronditës kur ai pa hedhjen e bombës atomike, të cilën e konsideronte “gjykim të Zotit” mbi qytet.

Në një mbrëmje, në maj të vitit 1955, publiku amerikan pa në televizion zhvillimin e një momenti të jashtëzakonshëm. Kiyoshi Tanimoto, një pastor i krishterë nga Hiroshima i cili kishte kaluar një dekadë duke punuar mes viktimave dhe rrënojave të lëna nga bomba atomike, u bë i nderuari i emisionit This Is Your Life. Në një skenë të rregulluar si dhomë ndenjeje në studiot e NBC-së në Los Anxhelos, Tanimoto – i cili ndodhej në ShBA për të mbledhur fonde për viktimat japoneze të luftës – e gjeti veten të ulur me drejtuesin e emisionit, Ralph Edwards, ndërsa buçisnin tingujt e regjistruar paraprakisht të trumbetave dhe një varg të ftuarish befasues kalonin përmes harkut të famshëm të emisionit.

I pari që u shfaq ishte misionari metodist i cili shumë vite më parë e kishte njohur Tanimoton me krishterimin. Më pas erdhën gruaja dhe fëmijët e Tanimotos, të cilët kishin ardhur me aeroplan nga Japonia me pasaporta të rregulluara me ngut. Pastaj hyri një burrë për të cilin thuhej se kishte munguar në provën e programit dhe se ishte nxjerrë nga një bar pikërisht në kohë për paraqitjen e tij. Ai përpiqej, pa sukses, t’i përmbante lotët; shtrëngimi i dorës me Tanimoton, fytyra e të cilit mbeti e ngrirë, qe i shkurtër. Robert A. Lewis kishte qenë bashkëpiloti [i aeroplanit] Enola Gay.

Më shumë se 70 vjet më vonë, vajza e Tanimotos, Koko Kondo, e kujton këtë takim në parathënien e saj të Hiroshima, 8:15 – kujtimeve të humbura prej kohësh të babait të saj për bombardimin atomik. Libri jep në mënyrë intriguese një ide për ndërthurjen e pikëllimit dhe cinizmit që qëndroi në themel të rivendosjes së marrëdhënieve ShBA-Japoni pas luftës. Ai i çon lexuesit nga shkatërrimi dhe vuajtjet marramendëse që iu shkaktuan Japonisë – të dëshmuara nga Tanimoto – te pyetjet rreth domethënies morale dhe historike të asaj që bëri Amerika.

I lindur në vitin 1909 dhe i rritur si budist, Tanimoto u konvertua në krishterim kur ishte i ri. Studioi në Universitetin Emori në Shtetet e Bashkuara, zotëroi rrjedhshëm anglishten dhe u njoh mirë me vlerat e krishtera amerikane. Pasi u kthye në Japoni dhe po punonte si pastor në Hiroshimë, ai ndodhej rreth dy milje jashtë qendrës së qytetit kur bomba atomike ra në orën 8:15 të mëngjesit, më 6 gusht 1945. Tanimoto kujton se vështroi horizontin dhe pa një “vezullim të mprehtë drite që çau një re të zbehtë ngjyrë kafe”. Teksa u hodh përtokë, ndjeu një shpërthim të fuqishëm ere që kaloi pranë tij. Distanca dhe topografia ia shpëtuan jetën. Pjerrësia e një kodre aty pranë bëri që pjesa më e rëndë e valës së shpërthimit të kalonte mbi të.

Të gjithë kishin pritur një sulm ajror amerikan: shumë qytete japoneze ishin bombarduar gjatë muajve të fundit dhe Hiroshima ishte qendër e rëndësishme industriale. Por, ndërsa Tanimoto nisi të kthehej drejt Hiroshimës, u bë e qartë se diçka nuk ishte aspak në rregull. Shumica e njerëzve me të cilët foli nuk kishin parë asnjë aeroplan në qiell atë mëngjes, ose kishin parë vetëm një. E, megjithatë, në tokë dukej sikur çdo pjesë e qytetit ishte goditur njëkohësisht dhe me një intensitet shkatërrues.

“A mos vallë kisha qenë duke ëndërruar më parë”, pyeste veten Tanimoto, “dhe nuk kisha ditur për një sulm të jashtëzakonshëm ajror që kishte goditur Hiroshimën? Fillova të vija në dyshim veten dhe madje të dyshoja në shqisat e mia … I gjithë qyteti ishte mbuluar nga re të errëta, ndërsa zjarret e mëdha po shpërthenin në drejtime të ndryshme … Isha tmerrësisht i frikësuar”.

Tanimoto nxitoi të shihte se çfarë kishte ndodhur me familjen dhe kishën e tij. Duke ardhur nga drejtimi i kundërt, hasi një kortezh të çuditshëm, makabër: njerëz që mezi ecnin, me rrobat dhe flokët djegur, të mbështetur në shkopinj ose te të afërmit, ndërsa arrinin të largoheshin ngadalë nga gjithçka që Tanimoto ishte gati të shihte. Lagje të tëra ishin zhdukur. Ushtarët ishin nëpër rrugë, duke derdhur gaz mbi pirgje trupash të pajetë dhe duke u vënë zjarrin. Ata që ishin ende gjallë thërrisnin për ujë dhe Tanimoto ndaloi të bënte çfarë mundej, përpara se të nxitonte më tej. Gjatë rrugës, gjeti gruan dhe vajzën e tij foshnjë. Të dyja kishin mbijetuar, megjithëse rrobat e së shoqes ishin të mbuluara me gjak dhe pamja e saj ishte “si e një fantazme”.

Shpejt, qytetarët e Hiroshimës e kuptuan se arma misterioze nuk e kishte përfunduar veprimin. Ajo e shndërroi çështjen e mbijetesës në një pyetje që nuk kërkonte një çast për të marrë përgjigje, por javë, muaj, madje edhe vite. Njerëz të panumërt që atë ditë pësuan vetëm lëndime të lehta, më vonë panë se flokët po u binin, mishrat e dhëmbëve po u gjakosnin, gjymtyrët po u mpiheshin dhe në trup po u shfaqeshin njolla kuqezi – shenjat e asaj që më vonë u quajt “sëmundja atomike”.

Kujtimet e Tanimotos, të shkruara dy vjet më vonë, i rrëfenin të gjitha këto pa fraza të rëndomta apo pretendime letrare. Qoftë nëse kjo pasqyron personalitetin e tij, qoftë faktin se po shkruante në gjuhën e tij të dytë – anglishten – dhe jo në gjuhën e tij të parë, kjo është vetëm në të mirë të veprës. Disa çaste të historisë janë aq tronditëse, aq zemërthyese, saqë vetëm t’i përshkruash do të thotë t’i dënosh.

Të ngjashme