Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi i konsumatorëve”, pas një hetimi lidhur me shitjen e biletave të udhëtimit nga një kompani private.
Sipas Policisë, më 15 korrik 2026, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka pranuar një ankesë të përcjellë nga Inspektorati i Tregut (MINT), lidhur me dyshimet për mashtrim nga kompania.
Rasti ka të bëjë me një familje e cila gjatë korrikut 2025 kishte blerë aviobileta për linjën Hamburg–Prishtinë dhe anasjelltas, në vlerë prej 1,150 eurosh. Megjithatë, familjarët nuk kanë mundur t’i realizojnë fluturimet e parapaguara dhe janë detyruar të blejnë bileta të tjera, duke pësuar edhe 1,600 euro dëme shtesë.
Personi përgjegjës ishte intervistuar më 28 korrik 2026, kur në konsultim me prokurorin i ishte dhënë mundësi për ta riparuar dëmin. Meqë dëmi nuk është kompensuar, i dyshuari është intervistuar sërish më 20 gusht, në prani të avokatit mbrojtës.
Pas përfundimit të intervistimit, me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi i konsumatorëve”, nga neni 292 i KPRK-së.