Haxhiu për Dioguardin: Përkushtimi juaj ndaj çështjes shqiptare kishte pas vetes një trashëgimi shumë më të vjetër se jeta juaj politike

Prishtinë | 24 Gus 2026 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

U.d. presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar kontributin e Joe Dioguardit dhe Shirley Cloyes Dioguardit për çështjen e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve, duke theksuar angazhimin e tyre shumëvjeçar në Shtetet e Bashkuara dhe në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të dekretit për shtetësinë e Kosovës për Joe Dioguardin dhe Shirley Cloyes Dioguardin, tha se angazhimi i Dioguardit për çështjen shqiptare kishte nisur shumë përpara se Kosova të shndërrohej në çështje të politikës botërore.

“I nderuar Joe, përkushtimi juaj ndaj çështjes shqiptare kishte pas vetes një trashëgimi shumë më të vjetër se jeta juaj politike. Ajo vinte nga familja juaj arbëreshe nga Greci i Italisë prej një bashkësie që shekuj pasi ishte shkëputur nga trojet e të parëve vazhdonte të ruante shqipen, kujtesën e prejardhjes dhe lidhjen me botën shqiptare”, tha ajo.

Ajo tha se afirmimi i çështjes së Kosovës në Kongresin Amerikan ishte më shumë se një qëndrim politik, pasi, sipas saj, duhej të dëshmohej një padrejtësi që në atë kohë ishte pak e njohur.

“Affirmimi i çështjes së Kosovës në Kongresin Amerikan në ato vite ishte më tepër se një qëndrim politik, duhej të dëshmohej një padrejtësi që pak njerëz e njihnin. Të përballohej kundërshtimi i një diplomacie shtetërore që kishte rënë një miq të vjetër në Washington dhe t’u shpjegohej ligjvënësve amerikanë se pas fjalorit zyrtar të Jugosllavisë së asaj kohe qëndronte një popull të cilit po i cenoheshin vazhdimisht dhe në mënyrën më brutale të drejtat thelbësore”, tha ajo.

Haxhiu theksoi se Dioguardi e kishte nisur këtë angazhim shumë vite para shpërthimit të luftës në Kosovë dhe se, edhe pas përfundimit të mandatit të tij në Kongres, vazhdoi veprimtarinë përmes themelimit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

“Ju e nisët këtë punë shumë vjet përpara se represioni sistematik, vrasjet, masakra dhe dëbimi masiv nga ana e politikës kriminale të Serbisë e shndërruan Kosovën çështje të politikës botërore. Edhe pasi përfundoi mandati juaj në Kongres, ju e vazhduat angazhimin me themelimin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në vitin 1989, ajo punë mori një shtrirje tjetër. Ju u kthyet në Kosovë, patët nga afër çfarë po ndodhte, takuat njerëzit që po artikulonin rezistencën politike, intelektuale të shqiptarëve”; tha ajo.

Duke folur për Shirley Cloyes Dioguardin, Haxhiu tha se ajo e kishte dokumentuar dhe argumentuar çështjen e Kosovës përmes shkrimeve, raporteve, dëshmive dhe takimeve me politikëbërës e diplomatë.

“Me përvojën tuaj në botim, në shkrim, analizë të politikës së jashtme, ju u shndërruat në një kronist duke dëshmuar, dokumentuar dhe argumentuar për Kosovën, ngase nuk mjaftonte vetëm të kërkohej mbështetje. Duhej të njihej historia e saj, të kuptoheshin mekanizmat e represionit, të ndiqej ajo që po ndodhte në terren dhe t’u përgjigjej me fakte paraqitjeve që për vite me radhë kishin shtrembëruar, gënjyer e falsifikuar për pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Pra këtë punë e bëtë në shkrime, raporte, dëshmi para Kongresit, takime me politikëbërës e me diplomatë dhe paraqitje të shumta publike. Në vitin 2002 të dy shkuat në Hagë për të dëshmuar në procesin kundër Sllobodan Millosheviçit”, tha ajo.

Të ngjashme