Berisha: Vrasjet e fëmijëve, grave dhe vdekjet në komunikacion janë alarmante, institucionet të japin përgjegjësi

Prishtinë | 28 Gus 2026 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, ka marrë pjesë në protestën për mbrojtjen e të drejtave të grave, ku ka folur për rastet e fundit të vrasjeve dhe dhunës në familje, duke i cilësuar si shqetësuese dhe alarmante statistikat e muajve të fundit, raporton Ekonomia Online.

Berisha ka thënë se mungesa e institucioneve funksionale po pamundëson edhe kërkimin e përgjegjësisë nga institucionet përgjegjëse për sigurinë.

“Statistikat e dy muajve të fundit të vrasjeve të fëmijëve, të adoleshentëve, të vrasjes së grave, të vdekjeve në komunikacion janë shqetësuese, janë alarmante. Këto bëhen në mungesë të institucioneve. Sot ishtë dashur ose edhe dje, edhe sa herë ndodhin këto, duhet Ministri i Punëve të Brendshme, Policia, krejt agjencionet e sigurisë që janë përgjegjëse për këto me dhanë përgjegjësi te komisionet parlamentare. Domethënë, kur ka mungesë të krijimit të institucioneve, nuk jep kërkush përgjegjësi. Ajo është anarki pastaj, ndodh gjithçka”, ka deklaruar Berisha.

Berisha ka thënë se zëri i qytetarëve duhet të përfaqësohet në institucione, ndërsa ka theksuar se moskonstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë po e vështirëson trajtimin institucional të problemeve.

“Ne nuk bëhemi sikur zëri i qytetarëve, ne jemi zëri i qytetarëve. Mirëpo pengesa është edhe e keqja është që nuk janë konstituuar as Parlamenti, as Qeveria, se duhet komisionet parlamentare pastaj me i trajtuar, me i thirrë në raportim agjencionet, Policinë, gjykatat edhe me shiku qysh me zgjidhë këtë problem”, ka thënë ai.

Berisha ka folur edhe për protestën dhe për shqetësimin e familjeve që janë prekur nga rastet e vrasjeve, duke thënë se i përkrah protestat, por se zgjidhja, sipas tij, duhet të vijë përmes institucioneve funksionale.

“Unë jam babë, jam prind edhe jam burri i një gruaje që e kam shtëpi. Edhe përveç se me i përkrahur edhe me synuar me pasë shtet funksional, ashtu ne mundemi me bërë diçka. Protestimi po, e kuptoj edhe e përkrahi çdokënd edhe e ndiej dhimbjen e të gjitha familjeve që e ndiejnë sot. Domethënë, jo veç sotit e djeshit, po të krejt këtyre muajve që s’kemi pasur institucione që kanë ndodhur edhe s’ka japë përgjegjësi kërkush. Duhet me dhënë përgjegjësi dikush, duhet me gjetur forma qysh me i luftuar këto që po na ndodhin. Edhe çka po i shtyn njerëzit me vrarë gruan me fëmijën në bark edhe veten pastaj? Kjo është një situatë që duhet me u studiuar prej shumë faktorëve, prej intelektualëve, prej Akademisë së Shkencave, prej institucioneve të sigurisë. Nuk mundet këtu as me një protestë nuk ndalen, nuk ndalen as me vullnetin e mirë të disa njerëzve ose disa grave që thonë “duam me u armatosur” ose kështu. Këtu duhet institucionet sepse ne paguajmë prej parave tona institucione, Polici për me u marrë me këtë punë, pastaj me drejtësinë, për me bërë drejtësi e mundet me saktësi milimetrike me bërë drejtësi. Edhe pastaj me ia dhënë shembullin se nuk duhet me shkuar në atë rrugë. Pastaj duhet me pasë sanatoriume ku trajtohen njerëzit me probleme. Ne luftojmë për këtë, domethënë këtë e synojmë, me pasë institucione funksionale”, ka deklaruar Berisha.

Protesta u mbajt me kërkesë për mbrojtje më të madhe institucionale të grave dhe për reagim më të fuqishëm ndaj dhunës dhe vrasjeve në familje.

Figura e tanishme s’ka tekst alternativ. Emri i kartelës është: bek-berisha-foto.jpg

Të ngjashme