Kastrioti: Mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, pas çdo emri ka një histori njerëzore

Prishtinë | 28 Gus 2026 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë, YIHR ka bërë hapjen e ekspozitës “Momente të Humbura”, kushtuar personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Hektor Kastrioti nga YIHR ka folur për personat e zhdukur nga lufta në Kosovë, duke theksuar se edhe pas më shumë se dy dekadash, familjet vazhdojnë të përballen me mungesën, shpresën dhe pasigurinë.

Ai tha se gërmimet e fundit që zgjatën katër javë në zonën e Zubin Potokut dhe gjatë të cilave u gjetën mbetje mortore të të paktën 23 personave, e rikthyen vëmendjen te çështja e personave të zhdukur.

“Të flasësh për personat e zhdukur pas më shumë se dy dekadash nuk është e lehtë.

Sidomos kur dimë se pas çdo emri që përmendet ka një jetë, një kujtim dhe njerëz që kanë vazhduar të jetojnë me mungesën e dikujt të dashur.

Së fundmi, gërmimet që zgjatën katër javë në zonën e Zubin Potokut dhe gjetja e mbetjeve mortore të paktën 23 personave e rikthyen vëmendjen te një e vërtetë e dhimbshme.

Ato na rikujtuan se gjetja e mbetjeve nuk sjell domosdoshmërisht fundin e pritjes.

Deri në identifikimin e plotë, familjet vazhdojnë të jetojnë me shpresë, dyshim dhe pasiguri – një realitet me të cilin ata përballen tash e 27 vite.

Gjithashtu, sot duam të rikujtojmë se institucionet kanë përgjegjësi të vazhdueshme për kërkimin e personave të zhdukur, zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së tyre, mbledhjen dhe ruajtjen e dëshmive, si dhe ofrimin e mbështetjes për familjarët.

Shpesh, kur me mbi 1500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, flasim për një shifër të madhe, pas së cilës janë mbi 1500 histori njerëzore dhe po aq mungesa që vazhdojnë të ndihen edhe sot.

Prandaj, sot do të përpiqemi të lëmë për pak mënjanë numrin dhe të mendojmë për ata që këtë numër e përfaqësojnë: për një vend që ka mbetur bosh në një shtëpi, për një fotografi që vazhdon të ruhet, për një kujtim që përsëritet dhe për një moment të rëndësishëm të jetës ku dikush mungon.

Përsëri, këtë kemi dashur të sjellim përmes ekspozitës ‘Momente të Humbura’, ku kemi provuar të shohim se çfarë ndodh më pas, kur lufta ka përfunduar, por një pjesë e saj vazhdon të jetë brenda familjeve.

Prandaj, në këto piktura do të shihni jetën e përditshme: një lojë mes fëmijëve, një ditëlindje, një martesë, një dhomë, një sofër – moments që në pamje të parë janë krejt të zakonshme, por që ndryshojnë krejtësisht kur në to vendoset mungesa e dikujt.

Siluetat, hapësirat bosh dhe gjurmët që shfaqen në këto vepra na kujtojnë njerëzit që nuk janë aty, por që vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së atyre që i presin.

Për ne si YIHR, kjo ekspozitë është një mënyrë për t’u dhënë të rinjve hapësirën që të afrohen me këto histori, t’i dëgjojnë dhe t’i përcjellin ato”, tha Kastrati.

Gjithashtu në këtë ekspozitë pjesëmarrës ishte edhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Të ngjashme