Lladrovci për dekretimin e tre gjeneralëve: Lajm i mirë, megjithëse i vonuar

Prishtinë | 28 Gus 2026 | 20:09 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka cilësuar si lajm të mirë, ndonëse të vonuar, dekretimin e tre gjeneralëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci ka thënë se dekretimi i tyre është bërë sot në Presidencën e Republikës së Kosovës nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

“Dekretimi i tre gjeneralëve, sot, në Presidencën e Republikës së Kosovës, nga Ushtruesja e detyrës së Presidentes, znj. Haxhiu, është lajm i mirë, megjithëse i vonuar”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka vlerësuar rolin dhe rëndësinë e FSK-së, duke theksuar se ajo është ndërtuar mbi traditën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, e ndërtuar nga vullneti i fuqishëm i udhëheqësve tanë, me ndihmën e aletëve tanë historik, mbi traditën më të shkëlqyer të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, është krenaria jonë”, ka deklaruar ai.

Lladrovci ka veçuar edhe rëndësinë që ky dekretim ka për familjet e tre të sapograd­uarve, duke e cilësuar këtë ditë si moment krenarie dhe nderimi.

“Për familjen Lladrovci, Halili të Shtuticës dhe Haliti nga Prellovci, nga zemra e Kosovës, është ditë krenarie dhe nderimi për të kaluarën tonë si dhe përkushtimin e Mehmetit, Arifes e Astritit, që sot morën gradën më të lartë ushtarake, Gjeneral. Kjo është mirënjohje për djepin e UÇK-së, komunën tonë me rreth 1.300 dëshmorë e martirë”, ka shkruar Lladrovci.

Në veçanti, ai ka përmendur gradimin e Mehmet Lladrovcit, të cilin e ka cilësuar si bashkëluftëtar të komandantit legjendar Adem Jashari, duke e lidhur këtë gradë me kontributin e familjes së tij në luftën për çlirimin e Kosovës.

“Njëherësh, grada Gjeneral për Mehmetin – bashkëluftëtar i Komandatit legjendar Adem Jashari, është mirënjohje për dhjetëra veteranë të UÇK-së nga familja jonë, për babain e tij, mësuesin dëshmor Jahir Lladrovci, për heroin e heroinën Fehmi e Xhevë Lladrovci si dhe për të gjithë atdhetarët kontribues për çlirimin e Kosovës”, ka theksuar ai.

Lladrovci ka përcjellë mesazhe nderimi për UÇK-në, FSK-në, si dhe për dëshmorët dhe martirët.

“Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Nderim Forcës së Sigurisë së Kosovës!

Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”

Të ngjashme