Analisti politik Ilir Deda ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me një kaos të plotë institucional nëse deri më 4 tetor nuk zgjidhet Presidenti i vendit.
Deda tha se aktualisht nuk sheh një zgjidhje për situatën politike.
“Nuk mendoj se ka zgjidhje në fund të tunelit. Fatkeqësisht, Kosova afatin e fundit për me zgjedh Presidentin e ka 4 tetorin. Nëse nuk ka President më 4 tetor, atëherë s’ka kryetar të shtetit”, deklaroi Deda.
Ai theksoi se Kushtetuta përcakton një afat prej gjashtë muajsh për ushtrimin e detyrës së Presidentit, ndërsa paralajmëroi se vendi mund të mbetet pa President.
“Kushtetuta thotë që veç 6 muaj mundesh me qenë ushtrues detyre. Praktika është e tillë dhe ne, për shkak të shkurtpamësisë politike të 6-shes së LDK-së, mundemi me përfundu pa President, në kaos të plotë institucional”, tha ai.
Sipas Dedës, gjashtë deputetët e LDK-së nuk janë përgjegjësit kryesorë për situatën e krijuar, por qëndrimi i tyre, sipas tij, po kontribuon në thellimin e krizës institucionale.
“Këta të gjashtë nuk janë përgjegjësit pse ne jemi në gjendje të tillë, por po kontribuojnë në kaosin institucional të Kosovës”, u shpreh Deda.