Vatra zjarresh në Lezhë e Fier, digjen 10 shtëpi e 200 hektarë pyje, në terren forca zjarrfikëse
Dhjetë banesa janë djegur nga zjarri në Lezhë, ndërsa flakët vijojnë të jenë aktive në fshatrat Kalivaç dhe Zimaj, shkruan rtsh.al, transmeton klankosova.tv.
Përveç banesave, janë djegur edhe disa kasolle me bagëti, ndërsa flakët kanë përshkuar rreth 200 hektarë pyje.
Sipas të dhënave, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive me intensitet të lartë dhe aktualisht është e shtrirë në tre pika të ndryshme, ndersa situata po monitorohet nga strukturat e emergjencave dhe forcat e angazhuara në terren.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar dy mjete zjarrfikëse të Bashkisë Lezhë me 12 forca, 21 forca zjarrfikëse të Ministrisë së Mbrojtjes me tre mjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, punonjës të shërbimit pyjor, Emergjencave Civile si dhe vullnetarë.
Ndërhyrja nga toka vijon të jetë e vështirë për shkak të terrenit të thyer malor dhe mungesës së aksesit për mjetet zjarrfikëse në disa zona.
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu mesditën e së premtes një sipërfaqe të mbjellë me ullishte dhe shkurte në kodrat e Radostinës, ne vendin e quajtur “ Fiqtë”.
Situata paraqitet e vështirë për shkak të erës së fortë, dhe terreni i thyer, i cili vështirëson lëvizjen e mjeteve dhe afrimin pranë vatrave të zjarrit.
Në terren janë 8 mjete zjarrfikëse, 40 efektivë, 20 forca bashkiake dhe dy autobote për shuarjen e flakëve.