Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon sot seanca për paraqitjen e deklaratave përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Thaçi po e ndjek seancën nga qendra e paraburgimit ndërsa të akuuarit tjerë nga Kosova.
Në seancën e së mërkurës, mbrojtja e Hashim Thaçit kërkoi që ai të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga të gjitha akuzat.
Avokatja e tij, Sophie Menegon, deklaroi se vendimi i trupit gjykues duhet të mbështetet në prova dhe jo në atë që ajo i cilësoi si spekulime të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime dhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.
Sipas mbrojtjes, dëshmitarët e përmendur nga prokuroria, përfshirë Rrustem Mustafën, Bislim Zyrapin dhe një dëshmitar të mbrojtur, gjatë marrjes në pyetje kanë mohuar se janë ndikuar nga Thaçi apo persona të tjerë.
Mbrojtja argumentoi se gjatë procesit nuk është dëshmuar ndonjë ndërhyrje konkrete në administrimin e drejtësisë dhe se ZPS-ja nuk ka arritur të provojë fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm.
Avokatja Menegon kritikoi gjithashtu mënyrën se si prokuroria ka trajtuar format e përgjegjësisë penale, duke pretenduar se aktakuza nuk është koherente në këtë aspekt dhe se akuzat nuk janë mbështetur me prova të mjaftueshme.
Mbrojtja vuri në pikëpyetje edhe dëshminë e ekspertit të prokurorisë, Koen Herlaar, duke e cilësuar metodologjinë e përdorur prej tij si problematike.