VV mbështet “Marshin për Liri”: Ata që votuan Gjykatën Speciale duhet t’i kërkojnë falje popullit

Prishtinë | 11 Sht 2026 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se mbështet “Marshin për Liri”, i cili pritet të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke e lidhur këtë protestë me kundërshtimin e Gjykatës Speciale dhe mënyrën e themelimit të saj.

Në një postim, VV-ja e ka cilësuar themelimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës si “dëmin më të madh” që, sipas saj, i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.

“Themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ka qenë dëmi më i madh që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës”, thuhet në postimin e VV-së.

Sipas LVV-së Gjykata Speciale përbën një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa Serbia, si shtet që sipas VV-së kreu krime gjatë luftës në Kosovë, ka mbetur jashtë këtij procesi gjyqësor.

“Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj”, ka deklaruar VV-ja, duke shtuar se “parimi i barazisë para ligjit u flijua dhe njëra palë e luftës u veçua për ndjekje”.

Në reagimin e saj, Lëvizja Vetëvendosje i referohet edhe origjinës së procesit që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale, duke përmendur nismën në Këshillin e Evropës më 15 prill 2008 dhe raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty.

VV-ja pretendon se pretendimet për trafikim organesh, të ngritura në atë periudhë, shërbyen si bazë për zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmit që çoi në themelimin e gjykatës.

“Zanafilla e kësaj gjykate ishte politike dhe antishqiptare”, thuhet në postim.

Lëvizja argumenton gjithashtu se deputetët e Kosovës ishin përballur me paralajmërimin se, nëse Kosova nuk do ta miratonte vetë themelimin e gjykatës, një gjykatë e tillë do të mund të ngrihej përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Frika prej Rusisë u përdor që Kosova ta miratonte vetë nismën e nisur nga përfaqësuesit rusë e serbë”, pretendon VV-ja.

VV-ja kritikon edhe mënyrën e funksionimit të procesit ndaj ish-pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së, duke përmendur paraburgimet e gjata dhe largësinë nga familjet.

“Paraburgimi shumëvjeçar është kthyer në dënim para aktgjykimit”, thuhet në reagim.

Sipas VV-së, krijimi i Gjykatës Speciale ka shkaktuar edhe dëm në trajtimin e historisë së luftës së Kosovës.

“Drejtuesit e qëndresës, pra Shtabi i UÇK-së është vendosur në bankën e të akuzuarve, ndërsa shteti që kreu masakrat, dëbimet dhe zhdukjet me dhunë vazhdon t’i mohojë krimet”, thuhet në postim.

Lëvizja thekson se përgjegjësia penale duhet të jetë individuale dhe drejtësia e barabartë për të gjithë.

“Përgjegjësia penale është individuale. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë”, thekson VV-ja.

LVV u ka bërë thirrje deputetëve që kanë votuar për themelimin e Gjykatës Speciale që të distancohen nga vendimi i tyre.

“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, thuhet në reagim.

VV-ja ka bërë thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, duke e përshkruar atë si marshim kundër atyre që themeluan Gjykatën Speciale dhe në mbështetje të “lirisë, drejtësisë dhe të vërtetës së luftës çlirimtare”.

“Më 12 shtator marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”, thuhet në postim.

Të ngjashme