Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se tri shkronjat UÇK përfaqësojnë për shumë shqiptarë të Kosovës një histori të lidhur me sakrificën, dhimbjen dhe luftën për liri.
Shala ka theksuar se pas këtyre shkronjave qëndrojnë emrat e të rënëve, familjet që kanë përjetuar humbje dhe një brez që e ka përjetuar luftën si sakrificë për lirinë e Kosovës.
“UÇK — tri shkronja, një histori e tërë”, ka shkruar Shala, duke shtuar se ata që i mbajnë këto shkronja duhet t’i mbajnë me krenari, por edhe me përgjegjësi.
Sipas tij, UÇK-ja nuk duhet të shihet vetëm si emblemë, pasi, siç ka shkruar ai, ajo përfaqëson kujtesën e një populli dhe një kapitull të dhimbshëm të historisë së Kosovës.
Shala ka thënë se historia mund të analizohet dhe debatohet me fakte e drejtësi, por kujtesa për sakrificën nuk duhet të zhduket.
“Mos lejoni që këto tri shkronja të fshihen, të turpërohen apo të shndërrohen në një objekt urrejtjeje. Historia mund të analizohet, mund të debatohet dhe mund të gjykohet me fakte e drejtësi, por kujtesa e sakrificës nuk duhet të zhduket”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës dhe se këto shkronja, sipas tij, duhet të mbahen me dinjitet, në respekt të të rënëve, familjeve të tyre, të mbijetuarve dhe brezave të ardhshëm.
“UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës dhe shkronjat UÇK duhet të mbahen me dinjitet. Për të rënët. Për familjet e tyre. Për ata që mbijetuan. Për brezat që duhet ta dinë se liria ka edhe një çmim njerëzor”, ka shkruar Shala.
“UÇK — kujtesë që nuk shuhet. Sakrificë që nuk harrohet. Histori që nuk fshihet. Mirë se vini nga Haga Çlirimtar 🇽🇰”, ka shkruar Shala.