Dëshmia e rëndë e ish të burgosurës në procesin ndaj gardianes Nadica Cepkenoviq

Prishtinë | 14 Sht 2026 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Nadica Cepkenoviq, lidhur me akuzën se në cilësinë e gardianes në burgun e Prishtinës- paralelen për gra në Lipjan, ka kryer krime lufte, të hënën u dëgjua dëshmitarja- ish-e burgosura Zahrije Podrimqaku, e cila tregoi torturat që kishte përjetuar më ’98- ’99 sa ishte e burgosur në burgun e Lipjanit.

“Ishim në gjendje me gërrith murin prej dhimbjeve të mëdhaja. Ka qenë gjendje e tmerrshme sa që unë edhe sot kam probleme”, deklaroi dëshmitarja Podrimqaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja tha se ishte arrestuar nga forcat serbe për arsye se në vitin 1998, kishte qenë duke punuar si anëtare e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNj) në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si zyrtare për informim dhe se ka bërë informimin lidhur me dhunën që ka kryer policia serbe, duke intervistuar të dëmtuarit.

Po ashtu, Podrimqaku shtoi se ishte angazhuar edhe me detyrën e informimit të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtaret ë Kosovës (UÇK), nëse para kohës ka vërejtur se patrullat serbe kanë hyrë me ndonjë fashat të Kosovës.

Sipas dëshmitares Podrimqaku, ajo ishte arrestuar me datë 8 qershor 1998, kurse është dënuar më 25 dhjetor 1998, nën akuzën për terrorizëm.

“Laps e fletore kam pas në dorë, jo armë. Jam arrestuar më 8 qershor 1998 dhe po atë ditë e kisha dorëzuar në KMLDNj, dosjen komplet që është për Masakrën e Poklekut”, theksoi dëshmitarja.

Tutje, Podrimqaku deklaroi se torturat ndaj saj kishin filluar që në Stacion të Policisë në Prishtinë, ku ishte intervistuar për tri ditë nga inspektorët serbë, dhe gjatë asaj kohe ishte goditur me dru me gjatësi prej 1 metër vazhdimisht, në të gjitha pjesët e trupit.

Podrimqaku, shtoi se pastaj ishte dërguar në burgun e Lipjanit dhe, sipas saj, me të arritur në dhomë, e akuzuara Cepkenoviq me një ish-gardiane tjetër e kishin toruturuar fizikisht deri në alivanosje.

“Më kanë qit jashtë, më kanë torturu, Nadica dhe Sllagjana Arsiq me pseudonimin “Pipi” deri në alivanosje. Kur kam ra përtoke, Nadica i ka marrë këmbët e mia dhe i ka fut nën këmbë të veta dhe m’i ka rreh shputat me pendrek. Isha në gjendje shumë të rëndë shëndetësore”, deklaroi dëshmitarja Podrimqaku.

Dëshmitarja tha se në burg kishte qëndruar 1 vit e 2 ditë dhe ishte liruar me ndihmën e Kryqt të Kuq Ndërkombëtar.

Podrimqaku dëshmoi se torturat bëheshin nga dy ose më shumë gardiane së bashku. Sipas saj, në kohën e bombardimeve të NATO-s, ishin torturuar çdo ditë për 2-3 javë dhe për të mos u dëgjuar britmat e mëdha, ish-gardianet lëshonin radion me zë të lartë.

Tutje, Podrimqaku tha se me datën 10 qershor 1999, se bashku me 13 të burgosura të tjera ishte zhvendosur në burgun e Pozharevcit në Serbi. Para se të niseshin, Podrimqaku tha se në oborr i kishin torturuar në mënyrë mizore të burgosurit burra në mënyrë që të mos qëndronin në këmbë dhe të ishin të lodhur gjatë rrugës.

Dëshmitarja Zahrije Podrimqaku, tha se edhe sot vuan pasojat e torturave që kishte përjetuar duke humbur një pjesë të dëgjimit në veshin e majt dhe për 27 vite pas lirimit sipas saj, përdorë barna, shkon në fizioterapi dhe ka stres të vazhdueshëm.

Gjithashtu, Podrimqaku, deklaroi se e ndien veten të dëmtuar dhe kërkon kompensim dëmi nga e akuzuara Cepkenoviq.

“Unë e ndiej veten të dëmtuar dhe kërkoj nga e akuzuara kompensimin në bazë të dëmit shëndetesor që kjo më ka bërë në burgun e Lipjanit”, tha Podrimqaku.

Pastaj, për shkak të orarit të pauzës, seanca u ndërpre për të vazhduar me sesionin e pasdites, në të cilin do të parashtojë pyetje mbrojtësja e të akuzuarës Cepkenoviq, avokatejaJovana Filipoviq dhe palët e tjera në procedurë.

Në seancën fillestare më 2 shkurt 2026 e akuzuara Cepkenoviq u deklarua e pafajshme.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 janar 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Nadica Cepkenoviq të cilën e akuzon se në cilësinë e ish-gardianes në burgun e Prishtinës- paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në bashkëkryerje edhe me zyrtare tjera të burgut në fjalë: Ljiljana Seliq, Danica Lukiq, Sllagjana Arsiq, Biljana Stoliq, ish-gardiane të burgut për gra në Lipjan, duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë ç’njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Aktakuza thotë se siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë kanosur seriozisht për jetën e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme, kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë, është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor, pasoja të cilat i bartin edhe më tej viktimat, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Me këtë, Cepkenoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime kundër popullatës civile”, nga neni 142 lidhur me nenin  22 të LP të RSFJ-së. 

Të ngjashme