Vendimi në Hagë, EULEX-i paralajmëron gatishmëri për 16 shtatorin

Prishtinë | 14 Sht 2026 | 20:21 | Nga Ekonomia Online

EULEX-i ka deklaruar se po i rishikon vazhdimisht masat operative të sigurisë në Kosovë, në prag të 16 shtatorit, ditës kur pritet të shpallet vendimi në rastin që përfshin ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

EULEX-i ka bërë të ditur se menaxhimi i sigurisë është pjesë e përgjegjësive të rregullta të misionit dhe se masat operative përshtaten vazhdimisht në varësi të situatës së sigurisë.

Sa i përket mundësisë së një angazhimi të shtuar më 16 shtator, EULEX-i ka theksuar se, në kuadër të mekanizmit tre-nivelësh të reagimit ndaj sigurisë në Kosovë, bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in e udhëhequr nga NATO.

Sipas misionit evropian, në rast se kërkohet dhe nëse është e nevojshme, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it është e gatshme të veprojë si reagim i dytë ndaj sigurisë.

“Si pjesë e mekanizmit tre-nivelësh të reagimit ndaj sigurisë në Kosovë, EULEX-i koordinohet ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në rolet e tyre përkatëse të reagimit ndaj sigurisë. Nëse kërkohet dhe nëse është e nevojshme, Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it është e gatshme të veprojë si reagim i dytë ndaj sigurisë për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e rendit dhe sigurisë publike”, ka thënë EULEX-i për Klankosova.

Ndërkohë, para 16 shtatorit, EULEX-i ka bërë thirrje për qetësi, duke nënvizuar se siguria dhe mbrojtja e të gjitha komuniteteve në Kosovë mbeten prioritet.

“Mesazhi që dëshirojmë t’u përcjellim të gjitha komuniteteve në Kosovë është se siguria dhe mbrojtja e tyre janë përparësitë tona të para”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Të ngjashme