Baraliu: Klasa politike po sillet në mënyrë të papërgjegjshme, nuk po e marrin mësimin e duhur

Prishtinë | 15 Sht 2026 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Profesori Mazllum Baraliu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president dhe paralajmërimit të PDK-së se do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese lidhur me formimin e Qeverisë.

Duke folur në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, Baraliu e ka cilësuar situatën aktuale si pjesë të një krize të gjatë institucionale, për të cilën, sipas tij, përgjegjësinë kryesore e bart klasa politike, transmeton Klankosova.tv.

“Fatkeqësisht, me sjelljen e papërgjegjshme të kësaj klase politike, jo vetëm me veprimet e fundit, por që pothuajse dy vite, madje edhe më herët, kishte raste dhe sjellje të papërgjegjshme të cilat kanë shkaktuar një krizë, ngërç ciklik dhe paralizë institucionale”, deklaroi Baraliu.

Ai tha se një situatë e tillë është e papranueshme dhe shprehu shqetësimin se aktorët politikë nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura nga krizat e mëparshme.

“Nuk ka gjasa dhe simptoma që këta të kenë marrë leksionin e duhur. Po sillen përsëri në mënyrë të papërgjegjshme dhe kjo nënkupton, në radhë të parë, shkelje të Kushtetutës, por edhe krijimin e institucioneve tubioze, pra në aspektin kushtetues-juridik, të dyshimta për nga baza kushtetuese”, u shpreh ai.

Të ngjashme