Zyrtari i DASH-it: Rikthimi në dialog do të ishte i dobishëm në avokimin tonë për njohjen e Kosovës

Prishtinë | 15 Sht 2026 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara mbështesin njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe do të vazhdojnë bisedimet për këtë çështje edhe me shtetet mosnjohëse që janë anëtarë të NATO-s, tha zëvenëdsndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Lawton.

Gjatë dëshmisë para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashte të Dhomës së Përfaqësuesve, Lawton u shpreh se rikthimi i Kosovës dhe Serbisë në dialogun për normalizim, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, do të kontribuonte në këtë drejtim.

“Rikthimi në dialog do të ishte i dobishëm në avokimin tonë për njohjet. U bëjmë thirrje udhëheqësve politike, të dyja shteteve të rikthehen në bisedime pa parakushte”, tha Lawton në pyetjen se si po vepron administrata amerikane sa i përket avokimit te katër shtetet të NATO-s që nuk e njohin Kosovën.

Senatori Keith Self gjatë dëshmisë së Lawton në Nënkomisionin për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, u bëri sërish thirrje katër shteteve të NATO-s që nuk e njohin Kosovën – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – të ndryshojnë qëndrim.

Self, që ka sponsorizuar edhe projektligje për këtë çështje, por edhe për praninë e SHBA-së në misionin paqeruajtës të aleancës në Kosovë, tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO është “përbërësi kryesor” i sigurisë në rajon.

Senatorë të tjerë po ashtu kërkuan nga Lawton të jepte qëndrimin e administratës rreth pjesëmarrjes së SHBA-së në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Dua t’iu siguroj se ne mbetemi të angazhuar në KFOR dhe prania jonë aty është e rëndësishme”, tha Lawton.

Ai u pyet për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane dhe tha se për madhësinë e misionit vendos NATO-ja, teksa SHBA-ja mbështet numër të trupave që janë të nevojshme për KFOR-in.

Ndërkaq, kur u pyet se në çfarë kushtesh do të ulej numri i trupave në Kosovë, Lawton tha se gjithçka varet nga kushtet.

Ai tha se e kupton se ka vështirësi në rinisjen e dialogut në këtë periudhë, për shkak të zgjedhjeve – duke iu referuar zgjedhjeve në Serbi – por tha se SHBA-ja do të dëshironte që ky proces të rifillojë.

“Nëse Kosova do të bisedonte për normalizim me Serbinë do të përmirësonte situatën në terren”, tha ai.

Zgjedhjet dhe vonesat institucionale në Kosovë “pengojnë agjendën” me SHBA-n

Gjatë fjalës së tij hyrëse, Lawton tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës, por paralajmërojnë se ngërçi i zgjatur politik po e pengon agjendën e përbashkët mes dy vendeve.

Gjatë fjalës hyrëse, Lawton përmendi zgjedhjet e përsëritura në Kosovë, periudhën e gjatë me qeveri në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve si faktorë që kanë penguar avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

“Kemi një agjendë të gjerë bashkëpunimi me Kosovën, e cila, fatkeqësisht, është penguar nga zgjedhjet e përsëritura, periudha e zgjatur me qeveri në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve të nevojshme për avancimin e prioriteteve tona të përbashkëta”, u shpreh ai.

Uashingtoni, sipas tij, u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që ta përmbyllin procesin e formimit të institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.

Por, vërejtjet amerikane shkojnë edhe përtej ngërçit politik.

Lawton, ndërkaq, në deklaratën e publikuar paraprakisht, tha se SHBA-ja ka shqetësime për atë që e përshkruan si “kontroll të tepruar ligjor dhe policor” ndaj popullsisë serbe të Kosovës.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë të drejta të barabarta dhe mbrojtje të barabartë nga ligji, nëse Kosova dëshiron ta ruajë stabilitetin”, thuhet në deklaratën e tij.

Lawton theksoi, gjithashtu, rolin kritik të misionit të NATO-s, KFOR, në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë – mision në të cilin vazhdojnë të kontribuojnë edhe forcat amerikane.

Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur

Normalizimin e marrëdhënieve dhe ruajtjen e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Lawton pritet t’i cilësojë si thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, që nga Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020, e ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë mandatit të tij të parë, është bërë “përparim i rëndësishëm”.

Megjithatë, ai vlerësoi se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur, për shkak të “vullnetit të pamjaftueshëm politik nga të dyja palët”.

SHBA-ja vazhdon t’i bëjë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i shmangin provokimet, t’i përmbushin zotimet e tyre dhe t’u rikthehen bisedimeve të drejtpërdrejta pa parakushte, tha ai.

Partneriteti me Serbinë po forcohet

Për marrëdhëniet me Serbinë, Lawton u shpreh see Uashingtoni po punon që Shtetet e Bashkuara të jenë “partneri i zgjedhur”, me synimin për të kundërshtuar ndikimin e aktorëve kundërshtarë të SHBA-së.

“Përpjekjet tona po funksionojnë dhe partneriteti ynë dypalësh po bëhet më i fortë”.

Lawton përmendi nisjen në korrik të Dialogut Strategjik SHBA-Serbi, i cili përfshin bashkëpunimin në energji, mbrojtje, siguri dhe ekonomi.

Ai e cilësoi Serbinë si një “vend kyç në ekuilibrin rajonal” dhe thotë se angazhimi me të do të mbetet i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave amerikane.

Gjatë debatit, ligjvënësi republikan, Randy Fine ngriti pyetjen se si marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën ndikojnë në qëllimet afatgjata të dialogut strategjik SHBA-Serbi.

Duke folur për Rusinë, ai tha se Moska e përdor varësinë energjetike si mjet kontrolli dhe si burim të ardhurash për “qëllime të tjera keqdashëse”.

Fine vuri në pah gjithashtu thellimin e lidhjeve të Serbisë me Kinën, përfshirë një marrëveshje të tregtisë së lirë, blerjen e sistemeve të avancuara kineze të mbrojtjes dhe pjesëmarrjen në stërvitje të përbashkëta ushtarake.

Lawton tha se marrëdhënie të tilla ndikojnë padyshim në politikën amerikane, pasi Shtetet e Bashkuara synojnë të ofrojnë zgjidhje amerikane në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe energjisë, me qëllim forcimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Lawton përmendi disa herë se Serbia është i vetmi shtet në Evropë që ka blerë sisteme të mbrojtjes ajrore nga Kina dhe, duke folur për investimet kineze në Serbi, shtoi SHBA-ja dëshiron që Kina të mos ketë në pronësi infrastrukturë kritike në këtë shtet.

SHBA-ja kërkon “zgjidhje lokale për probleme lokale”

Në deklaratën e tij, Lawton paraqiti edhe prioritetet më të gjera të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se SHBA-ja po u kërkon udhëheqësve të rajonit të mos vazhdojnë të rihapin mosmarrëveshjet e së kaluarës, por të përqendrohen në iniciativa konkrete për të çuar vendet e tyre përpara.

“Ne mbetemi të gatshëm të punojmë me ata që janë të përgatitur të ecin drejt së ardhmes, por kemi pak interes për ata që do të minonin stabilitetin për qëllime vetjake, ose që vazhdojnë të rihapin mosmarrëveshje të dekadave të kaluara”, u shpreh Lawton në deklaratën hyrëse.

Ai iu referua edhe qëndrimit të zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Christopher Landau, se “epoka e ndërtimit të shteteve të imponuara nga jashtë ka përfunduar”.

Kjo, sipas Lawtonit, nuk nënkupton tërheqjen amerikane nga Ballkani Perëndimor.

Ai tha se SHBA-ja mbetet aktive në përpjekjet për rezultate që avancojnë interesat e saj dhe që u mundësojnë aktorëve lokalë t’i gjejnë vetë zgjidhjet.

Tri shtyllat e politikës amerikane

Lawton e ndau politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor në tri shtylla: stabiliteti, interesat ekonomike dhe tregtare dhe luftimi i kërcënimeve ndaj SHBA-së.

Stabiliteti, sipas tij, është parakusht për realizimin e të gjitha objektivave të tjera amerikane në rajon.

Në aspektin ekonomik, SHBA-ja synon të avancojë interesat e veta tregtare përmes rritjes së udhëhequr nga sektori privat dhe krijimit të një klime që favorizon investimet dhe bizneset amerikane.

Lawton i përshkroi stabilitetin dhe prosperitetin si objektiva që përforcojnë njëra-tjetrën.

Shtylla e tretë lidhet me kërcënimet ndaj sigurisë, përfshirë organizatat kriminale transnacionale nga Ballkani që bashkëpunojnë me kartelet në hemisferën perëndimore dhe që, sipas tij, përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-në.

Uashingtoni pret gjithashtu që partnerët evropianë të marrin përsipër një pjesë më të madhe të barrës së sigurisë në rajon.

Nga aleatët e NATO-s në Ballkanin Perëndimor kërkohet modernizimi i ushtrive dhe përmbushja e zotimeve për shpenzimet e mbrojtjes.

Bosnja, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi

Për Bosnje dhe Hercegovinën, Lawton rikonfirmoi përkushtimin e SHBA-së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe stabilitetit të siguruar nga Marrëveshja e Dejtonit.

Ai u shpreh se diplomacia amerikane, vitin e kaluar, ndihmoi në zgjidhjen e një krize të gjatë, duke ruajtur kohezionin ligjor dhe rendin kushtetues të vendit dhe duke siguruar tërheqjen e legjislacionit të Republikës Sërpska që ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit.

Lawton veçoi edhe projektin e gazsjellësit të Interkoneksionit Jugor me Kroacinë, i cili, sipas tij, do të diversifikojë furnizimin me energji të Bosnje dhe Hercegovinës dhe do të krijojë mundësi për kompanitë amerikane.

Gjatë debatit, senatori demokrat William Keating, kritikoi heqjen e sanksioneve nga SHBA-ja për Millorad Dodikun, ish-presidentin e entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje në tetor të vitit 2025.

Keating po ashtu ishte kritikë edhe për projektin e Gazsjellësit Ndërlidhja Jugore, pasi sipas tij, kompanisë amerikane që i është dhënë projekti nuk ka përvojë në sektorin e energjisë në rajon.

Në Shqipëri, SHBA-ja po punon me autoritetet për luftimin e organizatave kriminale transnacionale dhe zgjerimin e qasjes së kompanive amerikane në treg.

Por, gjatë debatit, senatori Keating kishte vërejtje edhe për projektet e tjera në rajon, përfshirë në Shqipëri, që tha se po shtyhen përpara nga njerëz të afërt me presidentin Donald Trump, duke përmendur këtu edhe interesin e shprehur nga dhëndëri i Trumpit, Jared Kushner në Serbi dhe Shqipëri.

Në deklaratën e publikuar paraprakisht para seancës, Lawton përmendi edhe një kredi të sapopërfunduar në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak, e cila, sipas tij, do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë zotimet për shpenzimet e mbrojtjes në NATO dhe të rrisë blerjen e pajisjeve të prodhuara në SHBA.

Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, Lawton i përshkruan si aleatë të afërt të NATO-s dhe partnerë të SHBA-së në fushën e sigurisë.

Për Maqedoninë e Veriut, ai veçon bashkëpunimin në mbrojtje, energji dhe infrastrukturë, si dhe Dialogun Strategjik SHBA-Maqedoni e Veriut të zhvilluar në prill.

Për Malin e Zi, Lawton përmendi marrëveshjen ndërqeveritare të arritur së fundmi me SHBA-në, e cila krijon kornizë për bashkëpunim, përfshirë në Korridorin Adriatiko-Jonian.

Sipas Lawtonit, angazhimi amerikan në Ballkanin Perëndimor do të lidhet me objektiva të arritshme dhe rezultate të matshme, me fokus te zgjidhjet e drejtuara nga vetë vendet e rajonit, bashkëpunimi ekonomik dhe i sigurisë dhe avancimi i interesave amerikane. /REL

Të ngjashme