Aeroporti i Vlorës përballet me një zhvillim të rëndësishëm juridik, pasi më 16 shtator 2026 arbitra e emergjencës e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), në kuadër të procedurës së arbitrazhit me seli në Londër, ka nxjerrë një urdhër paraprak lidhur me mosmarrëveshjen për kontratën koncesionare të aeroportit.
Sipas urdhrit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë i kërkohet të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë procedurën e arbitrazhit.
Zhvillimi vjen pasi Qeveria shqiptare kishte nisur procedurën për ndërprerjen e parakohshme të kontratës koncesionare për Aeroportin e Vlorës.
Në një apel publik, Behgjet Pacolli, duke folur në emër të MABCO-s, investitorit dhe financuesit të projektit, si dhe zotëruesit të 98 për qind të kuotave të VIA-s, thotë se kompania iu drejtua arbitrazhit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave dhe investimit të saj, pasi Qeveria vendosi në mënyrë të njëanshme për ndërprerjen e kontratës.
Pacolli thekson se MABCO nuk e ka synuar zgjidhjen e çështjes përmes arbitrazhit dhe se, para nisjes së procedurës, kompania kishte kërkuar vazhdimisht dialog dhe një marrëveshje mes palëve.
“MABCO nuk ka synuar zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes arbitrazhit. Përmes më shumë shkresave, tentativave për takim, thirrjeve për veprime konstruktive dhe shmangien e pengesave, kemi kërkuar vazhdimisht zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje civilizuese që do të mundësonte vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit”, thuhet në apelin e Pacollit.
Sipas tij, qëndrimi i MABCO-s mbetet i pandryshuar: përfundimi i aeroportit dhe vënia e tij në funksion.
“Propozimi ynë mbetet i qartë: të na mundësohet përfundimi i aeroportit dhe vënia e tij në funksion”, shprehet Pacolli.
Ai i bën thirrje Qeverisë shqiptare që të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të krijojë kushtet për një dialog institucional dhe konstruktiv.
“ I bëj thirrje Qeverisë edhe një herë të zgjedhë dialogun dhe një zgjidhje të dakordësuar. Përfundimi i kësaj vepre dhe vënia e saj në shërbim të qytetarëve, turizmit dhe ekonomisë shqiptare do të ishte në interes të publikut dhe do të shmangte shpenzime të konsiderueshme për procedura ligjore”, thekson ai.
Në këtë fazë, MABCO kërkon që të respektohen të drejtat e saj, investimi dhe puna e kryer në kuadër të projektit, duke argumentuar se zgjidhja përmes dialogut do të mundësonte vijimin e punimeve dhe përfundimin e Aeroportit të Vlorës.