Trajneri i kombëtares së Kosovës, Franco Foda, në një konferenë për media ka folur për mungesat në ekip në prag të katër ndeshjeve të para të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, duke theksuar se ka besim të plotë te futbollistët që ka në dispozicion.
Foda, pranoi se Kosova do të jetë pa disa lojtarë me përvojë, përfshirë edhe Muslijën dhe Rexhbeçajn, të cilët mungojnë për shkak të lëndimeve.
Megjithatë, ai u shpreh optimist për grupin e grumbulluar dhe tha se mungesat mund të shërbejnë si mundësi për futbollistët e tjerë që të dëshmojnë cilësitë e tyre.
“Na mungojnë disa lojtarë me përvojë dhe të rëndësishëm. Disa janë tërhequr, ndërsa për shkak të lëndimeve mungojnë Muslija dhe Rexhbeçaj”, deklaroi Foda para gazetarëve.
“Por, i kemi 27 lojtarë dhe kam besim të plotë tek ata. Tani do të kërkojmë formacionin ideal. Ky është futbolli, ka lëndime dhe tërheqje, por kjo është një mundësi për të tjerët që ta tregojnë veten”, shtoi Foda, transmeton Klankosova.
Strategu gjerman bëri të qartë se synimi i tij është të gjejë kombinimin e duhur të futbollistëve për ndeshjet e ardhshme, duke u dhënë hapësirë edhe lojtarëve që mund të përfitojnë nga mungesat në skuadër.