Tre peshq të llojit “Ballgjëri” janë gjetur të ngordhur në Liqenin e Badocit, ka njoftuar Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi”.
Sipas shoqatës, dy prej peshqve të gjetur vlerësohet të kenë peshë rreth 40 kilogramë, ndërsa i treti besohet se peshon më shumë se 50 kilogramë,.
Pas informatave të pranuara nga terreni për praninë e peshqve të ngordhur, ekipi i Shoqatës “Krapi” ka dalë në vendngjarje për të bërë verifikimet e para.
Puna në terren është ndërprerë përkohësisht për shkak të orëve të vona dhe reshjeve të shiut, ndërsa nga shoqata kanë bërë të ditur se inspektimi do të vazhdojë, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të ngordhjes së peshqve.
Shoqata ka ngritur dyshime për gjendjen e tyre për shkak të sjelljes së pazakontë të kësaj specieje. Sipas saj, “Ballgjëri” zakonisht qëndron në thellësi dhe nuk frekuenton ujërat e cekëta.
“Vetëm tre ditë më parë, njëri nga këta peshq është incizuar i gjallë nga një peshkatar në një zonë me thellësi prej vetëm rreth një metër”, thuhet në njoftimin e shoqatës.
Sipas “Krapit”, kjo lëvizje në ujëra të cekëta është konsideruar si një sinjal shqetësues për gjendjen e peshqve ose të mjedisit ujor.
Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi” ka bërë të ditur se do ta informojë publikun për rezultatet e verifikimeve dhe detajet e reja sapo të përfundojë inspektimi në terren.

