Në 28-vjetorin e rënies së heroit të kombit, Fehmi Lladrovci, Sami Lushtaku ka përkujtuar me nderim dhe krenari komandantin e Brigadës 114, bashkëshorten e tij, heroinën Xhevë Lladrovci, si dhe luftëtaren Fatime Hetemi.
Lushtaku, përmes një postimi, ka vlerësuar figurën e Fehmi Lladrovcit si intelektual, patriot dhe luftëtar të paepur të çështjes kombëtare.
“Feha ishte burrë i idealeve të mëdha, trim i rrallë dhe vizionar i çështjes kombëtare. Ai nuk u mjaftua vetëm me ëndrrën për liri. Ai ia kushtoi jetën organizimit, sakrificës dhe luftës për ta bërë atë realitet”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka theksuar se pas kthimit nga mërgimi, Lladrovci u angazhua në organizimin dhe drejtimin e luftës, duke udhëhequr Brigadën 114 të Zonës së Drenicës deri në ditën e rënies.
Më 22 shtator 1998, gjatë ofensivës së forcave serbe në Drenicë, Fehmi Lladrovci ra në pikën e Gradinës në Gllanasellë, krah për krah me bashkëshorten e tij, Xhevë Lladrovcin, dhe luftëtaren Fatime Hetemi.
Lushtaku ka shprehur nderimin për të gjithë ata që ranë gjatë luftës për lirinë e Kosovës.
“Lavdi e përjetshme Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar ai.