Haxhiu: Për Kosovën, Afrim Bunjaku është hero

Prishtinë | 24 Sht 2026 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit Albulena Haxhiu ka treguar se sot ishte për vizitë në Samadrexhë në familjen e heroit, Afrim Bunjaku në trevejtorin e rënies së tij.

Përmes, një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka shkruar se për Kosovën, Afrim Bunjaku është hero.

“Për Kosovën, Afrim Bunjaku është Hero. Për familjen e tij është Afrimi që mungon çdo ditë. Bashkëshorti, babai, vëllai që për 22 vjet kishte veshur uniformën e Policisë së Kosovës dhe i kishte shërbyer vendit të vet”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Sot, në Samadrexhë, vizituam familjen Bunjaku dhe bëmë homazhe te varri i Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij.

Tri vjet më parë, Afrimi u nis në detyrë dhe nuk u kthye më në shtëpi. Në Banjskë, ai ra duke mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës nga sulmi terrorist i 24 shtatorit.

Për Kosovën, Afrim Bunjaku është Hero. Për familjen e tij është Afrimi që mungon çdo ditë. Bashkëshorti, babai, vëllai që për 22 vjet kishte veshur uniformën e Policisë së Kosovës dhe i kishte shërbyer vendit të vet.

Familjes Bunjaku i shpreha edhe një herë respektin dhe mirënjohjen time të thellë.

Afrimi ra në krye të detyrës, por atë mëngjes ai dhe kolegët e tij e mbrojtën Republikën. Për këtë, Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse.

Lavdi Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!

Të ngjashme