Messi shënon gol spektakolar nga faulli

Prishtinë | 28 Sht 2026 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi ka vazhduar me gola. Ylli argjentinas e shënoi një gol të bukur, por nuk arriti ta shpëtonte Inter Miamin nga humbja 2-1 ndaj Columbus Crew në ligën MLS.

Tetë herë fituesi i Topit të Artë realizoi me një goditje fantastike nga gjuajtja e lirë në minutën e 33-të, duke e barazuar përkohësisht rezultatin pasi Josef Martínez e kishte kaluar Columbusin në epërsi nga pika e bardhë pesë minuta më herët.

Ky ishte goli i 21-të i Messit në sezonin e rregullt të MLS-së, por në fund rezultoi i pamjaftueshëm, pasi Columbus arriti të rezistonte dhe ta kërkonte golin e fitores deri në fund.

Ai në fakt e gjeti golin e dytë nga gjuajtja e lirë brenda pak ditësh, shkruan “Gazeta Express”.

Messi ishte pranë përmbysjes në minutën e 62-të, kur shpërtheu drejt portës dhe goditi, por portieri i Columbusit, Patrick Schulte, e devijoi topin mbi traversë.

Pak çaste më vonë, Inter Miami mendoi se kishte kaluar në avantazh. David Ayala doli i vetëm përballë mbrojtjes së Columbusit dhe realizoi, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në anën tjetër, Columbus u tregua i rrezikshëm. Anass Zaroury goditi dy herë shtyllën, ndërsa një nga tentativat e tij spektakolare nga distanca përfundoi në pjesën e poshtme të traversës.

Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, Columbus gjeti golin e fitores në kohën shtesë.

Brais Méndez goditi nga jashtë zonës, por portieri i Inter Miamit, Rocco Ríos Novo, nuk arriti ta kontrollonte topin.

Më i shpejti në reagim ishte sulmuesi senegalez Jamal Thiaré, i cili e dërgoi topin në rrjetë për 2-1.

Kjo humbje është një tjetër goditje për Inter Miamin, që tashmë ka mbetur 14 pikë prapa liderit Nashville, me shtatë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit të rregullt.

Ndërkohë, Columbus Crew mbetet në garë për një vend në play-off. Pas kësaj fitoreje, skuadra i ka 29 pikë dhe ndodhet katër pikë larg zonës së kualifikimit.

Të ngjashme