Gjykata gjobit me 1 mijë euro avokaten Albana Zogiani për vonesë në seancë

Prishtinë | 28 Sht 2026 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Gjykata ka dënuar me 1 mijë euro gjobë avokaten Albana Zogiani, për shkak të vonesës prej një ore në seancën gjyqësore, e cila ishte caktuar të fillonte në orën 09:30, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi, ka bërë të ditur se avokatja ishte e njoftuar për vazhdimin e seancës në orën e caktuar, por ishte paraqitur vetëm në orën 10:30.

“Merr aktvendim, shqiptohet gjobë në shumë prej 1 mijë euro ndaj avokates Albana Zogiani për shkak të vonesës në seancë, përkundër faktit se e njëjta ka qenë e njoftuar që seanca do të vazhdojë në orën 09:30. E njëjta vjen me vonesë në orën 10:30”, tha gjyqtarja Bytyqi.

Pas shqiptimit të gjobës, avokatja Zogiani ka kërkuar nga gjykata që dënimi të zëvendësohet me vërejtje, duke sqaruar se vonesa kishte ardhur si pasojë e një gabimi të paqëllimshëm.

Ajo ka thënë se kishte menduar gabimisht se seanca do të mbahej të nesërmen, ndërsa ka kërkuar mirëkuptim nga gjykata.

“Meqenëse u shqiptua aktvendim dënues ndaj meje për shkak të vonesës, i bëj të ditur gjyqtares se vonesa ime sot nuk ka qenë e qëllimshme, nuk ka pasur qëllim zvarritjen e procedurës, por meqenëse kam konstatuar gabimisht, kam menduar se seanca do të mbahej nesër. Në email kam pranuar procesverbalin, mirëpo thjesht ka qenë një gabim njerëzor që mund t’i ndodhë çdokujt”, tha Zogiani.

Ajo kërkoi falje për vonesën dhe vuri në dukje se në seancën e kaluar kishin munguar dy avokatë të tjerë, ndaj të cilëve, sipas saj, nuk ishte shqiptuar gjobë.

“Andaj kërkoj falje për vonesën time dhe kërkoj nga gjykata që të marrë vendim ashtu që të më shqiptojë një vërejtje për sot, meqenëse në seancën e kaluar kishte pasur mungesa nga dy avokatë të tjerë dhe të njëjtëve nuk u është shqiptuar gjobë”, tha ajo.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, 21 të akuzuarit akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile, pasi dyshohet se, në bazë të informacioneve dhe raporteve operative që kishin në dispozicion, ishin në dijeni për veprimet e forcave nën komandën ose kontrollin e tyre.

Sipas aktakuzës, këto veprime përfshinin shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, si dhe sulmet e armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare.

Prokuroria pretendon se këto veprime kishin për qëllim zhvendosjen me dhunë të popullsisë shqiptare dhe rezultuan me organizimin e kolonave të detyruara të civilëve drejt kufijve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas aktakuzës, rreth 862 mijë e 979 civilë u dëbuan nga Kosova.

Po ashtu, të akuzuarit dyshohet se nuk kishin ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar këto veprime, për t’i penguar autorët apo për t’i raportuar ato te autoritetet përkatëse.

Të ngjashme