Miratohet rishikimi i buxhetit për vitin 2026 në Komisionin për Arsim, opozita kundër

Prishtinë | 13 Tet 2026 | 14:25 | Nga Ekonomia Online

Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka miratuar shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, por përfaqësuesit e opozitës nuk e kanë mbështetur atë, duke kritikuar mungesën e përfshirjes së komunave dhe mënyrën e përgatitjes së rishikimit buxhetor, raporton Ekonomia Online.

Anëtarja e komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kundërshtuar projektligjin, duke thënë se procesi nuk përbën rishikim të mirëfilltë të buxhetit.

“Është zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili është dashur që të ndodhë kohë më parë, sepse është vendim që është marrë ka mbi një vit.Gjithashtu, merret vendim që të merren dividendë nga ndërmarrjet publike rreth 30 milionë euro, shtohet edhe Ministria e Financave me 102 milionë euro për pagat e 13-të dhe shtohen 20 milionë euro te thirrjet e organizatave të Ministrisë së Punës, Familjes dhe Dëshmorëve të Luftës Çlirimtare, e cila organizatë në buxhet nuk figuronte fare. Në fakt, dimë që i kemi katër ministri të cilat në ligjin e buxhetit të vitit 2024 nuk figurojnë. Domethënë, të gjitha ministritë që janë, siç është Ministria e Infrastrukturës me Ministrinë e Ambientit, Ministria e Financave prej Ministrisë së Çështjeve Sociale, Punës dhe Transfereve, dhe Ministria e Kulturës me atë të Rinisë, Sportit dhe të tjera, domethënë janë ministri të cilat nuk figurojnë. Kështu që ky veç ligj për rishikim nuk mund të quhet, dhe si i tillë nuk mund të mbështetet për shkak se nuk i është dhënë mundësia asnjë organizate buxhetore që ta rishikojë buxhetin e vet. Në qoftë se e shohim raportin e shpenzimeve të Ministrisë së Financave në vitin 2026, raportin gjashtëmujor financiar, janë mbi 90 milionë euro të cilat janë me vendime gjyqësore të organizatave të ndryshme buxhetore. Domethënë, komunave për vitin e gjashtë me radhë nuk iu jepet mundësia që të kenë rishikim të mirëfilltë. Në fakt, prej që qeveria Lëvizja Vetëvendosje qeverisë, ky është një raport që bëhet, si të them, ndryshe, sepse siç e thashë nuk është rishikim. Rishikim është atëherë kur Ministria e Financave ju jep mundësi të gjitha organizatave buxhetore, siç e ka pasur mundësinë prej kohësh, që edhe ato t’i ndryshojnë, domethënë t’i lëvizin zonat buxhetore. Buxheti i Ministrisë së Arsimit ata kanë pasur shumë prej amendamenteve, kështu që unë mendoj që komunave, sigurisht që ju kish shërbyer sikurse te këto që ishin rishikim i mirëfilltë. Në anën tjetër, unë po besoj që ne nuk kemi më këtu pyetje për administratën e komisionit. Nuk jam i njoftuar që ne kemi marrë si komision ndonjë kërkesë prej Ministrisë së Arsimit, sepse kjo është faktikisht poenta e rishqyrtimit të buxhetit, të ligjit të buxhetit nga ana e komisioneve parlamentare funksionale, në mënyrë që organizatat buxhetore të cilat i raportojnë ose bashkëpunojnë me një komision respektiv parlamentar, vijnë dhe paraqesin kërkesat e tyre buxhetore. Në këtë rast, Ministria e Arsimit nuk ka pasur kërkesë, domethënë unë jam i njoftuar, dhe tutje komunave, të cilat janë përgjegjëse për arsimin fillor dhe sekondar, nuk u dhanë shansa fare nga Ministria e Financave që të vijnë me kërkesat e tyre për rishikim”, u shpreh ajo.

Edhe anëtarja e komisionit nga Aleanca, Teuta Haxhiu, ka kundërshtuar mënyrën e trajtimit të buxhetit, duke kritikuar Ministrinë e Arsimit për, siç ka thënë ajo, mungesë të angazhimit në mbrojtjen e buxhetit të këtij institucioni.

“Megjithatë është, një buxhet që kërkon, pra domethënë kthehet në nivelin lokal, por ashtu siç e tha dhe vetë kolegja, unë, kam informata që ministri i Arsimit nuk ka marrë pjesë as në kur ka kaluar çfarëbiseda buxhetore. Nuk ka marrë pjesë vetë, si ministër, për ta mbrojtur buxhetin që ka kërkuar, edhepse ai buxhet është shumë i vogël ndarë për Ministrinë e Arsimit, duke prekë, më saktë, nivelin lokal, pra me gjithë problemet financiare që kanë komunat, sidomos me aspektin e arsimit për shkak se, kontrata kolektive që është, që janë të drejta, të garantuara, pra për punëtorët e arsimit, normal që mjeteve po iu merren në nivelin lokal, dhe gjithë planifikimet që, planifikojnë komunat për infrastrukturat, normal që duhet të hiqen për shkak se mjetet po merren, qoftë me përmbarues, apo sepse është e drejtë, e drejtë edhe atyre që aplikojnë edhe normal që të drejtat edhe i marrin.Prandaj edhe ne si aleancë, duke parë joseriozitetin pikërisht të Ministrisë së Arsimit, që nuk e ka mbrojtur asnjëherë, s’ka marrë pjesë, s’ka mundur me marrë pjesë, s’ka mundë me thënë nga, nga drejtorët e drejtorive që nuk e ka mbrojtur buxhetin të cilin ai ka kërkuar, domethënë nuk ka qenë fare i interesuar, nuk e ka pasur prioritet asnjëherë arsimin, vetëm se e kanë shkatërruar arsimin, nuk e bëjnë në gjendje asnjëherë sa ka qenë gjendja më e keq prej kur, qeveria e Kurtit në fakt, e ka marrë për ta udhëhequr, këtë ministri, sidomos ato që ne i kemi parë në ministrinë e kaluar.Tani ministri aktual nuk po bën asnjë punë tjetër, normal që prapë mendoj që, gjithçka ndodh, ëh, ajo keqqeverisja në Ministrinë e Arsimit ka ndodhur qysh në vitet e kaluara, po vazhdon me ndodhur dhe ministri Çeku nuk është fare i interesuar për të ec para në, në këtë fushë”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka mbrojtur projektligjin, duke thënë se ai lidhet me reformat dhe nevojat që synon t’i adresojë.

“Ky është një rishikim ose një, le të them ndryshim ligji i cili është bërë në reforma të cilat dihen, sa i përket aspektit politik, edhe besoj që mbështetja e këtij projektligji në fakt nga deputetët veç e tregon një farë seriozitetin në raport me nevojat të cilat i ka shqyrtimi i këtij ligji edhe për këtë arsye pra po them na e mbështetim”, tha ajo.

Ndersa Kryetari i komisionit, Enver Hoxhaj, ka theksuar se kërkesat financiare të komunave nuk janë marrë parasysh dhe ka shprehur kundërshtimin ndaj mënyrës se si është paraqitur projektligji.

“Në fakt, detyra e këtij komisioni është që të kërkojmë që ministria përkatëse ta fusë këtë sa më shpejt në buxhet, dhe kjo të bëhet përtej subjekteve parlamentare si një çështje e përbashkët. Gjithashtu, komunat nuk janë marrë në konsideratë, përkatësisht kërkesat e tyre të cilat janë të shumta sa i përket aspektit financiar. Dhe si e tillë, edhe ne e kundërshtojmë këtë shqyrtim dhe projektim në formën se si është ofruar. Prandaj edhe, nëse dikush tjetër nuk ka për të shtuar diçka konform këtij projekti, e kisha hedhur edhe unë në votim, por dyshojmë në thelb se kjo e kalon mandatin e këtij komisioni, meqë nuk jemi komision i cili mund të ndikojë shumë në përgatitjet e tij, qoftë në shqyrtimin e këtij ligji. Përndryshe, kemi të bëjmë me një situatë që e kalon mandatin tonë si komision, meqenëse komisioni ynë nuk mund të ndikojë aq shumë në përmbajtjen e tij”, potencoi ai.

Të ngjashme