Bajraktari: Ligjet e miratuara nga Kuvendi duhet të mbrohen nga institucionet e Kosovës

Prishtinë | 13 Tet 2026 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Avokati Ardian Bajraktari ka kritikuar heshtjen institucionale ndaj kritikave për ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, duke theksuar se mbrojtja e tyre nuk duhet të trajtohet si çështje partiake, por si përgjegjësi institucionale dhe shtetërore.

Në një postim, Bajraktari ka theksuar se ligjet, pasi miratohen nga Kuvendi, nuk janë më pronë e subjekteve politike që i propozojnë, por bëhen ligje të Republikës së Kosovës. Sipas tij, institucionet, veçanërisht Kuvendi dhe Qeveria, kanë për detyrë t’i mbrojnë dhe t’i arsyetojnë ato në çdo forum ku vihen në diskutim.

Ai është ndalur veçanërisht te ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke vlerësuar se kjo nismë nuk duhet parë thjesht si çështje politike apo partiake.

Sipas Bajraktarit, një nismë e tillë duhet të shihet si përpjekje për qartësimin e mandatit të Gjykatës Speciale, adresimin e shqetësimeve për respektimin e standardeve të drejtësisë dhe trajtimin e mungesës së llogaridhënies.

Bajraktari ka theksuar se përgjegjësia institucionale nuk përfundon me miratimin e një ligji, por pikërisht atëherë fillon detyrimi për ta mbrojtur, arsyetuar dhe qëndruar prapa tij, me qëllim të zbatimit.

“Ligjet nuk miratohen për t’u braktisur në heshtje, ato miratohen për t’u zbatuar, për t’u mbrojtur dhe për t’i shërbyer Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj dhe, mbi të gjitha, së vërtetës në rastin konkret”, ka theksuar Bajraktari në postimin e tij.

Të ngjashme