Trajneri holandez kritikon ashpër Ronaldon: E la ekipin në baltë, nuk vraponte

Prishtinë | 20 Tet 2026 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Erik ten Hag, ka kritikuar ashpër Cristiano Ronaldon për angazhimin në stërvitje dhe moszbatimin e kërkesave taktike gjatë periudhës kur të dy punonin te Manchester Unitedi.

Në një intervistë për The Athletic, ish-trajneri i “Djajve të Kuq” deklaroi se ishte zhgënjyer nga sulmuesi portugez, pasi klubi kishte planifikuar të mbështetej tek ai.

“E la ekipin në baltë dhe më zhgënjeu, sepse kishim planifikuar me të”, u shpreh Ten Hag.

Holandezi pretendoi se Ronaldo nuk i përmbushte kërkesat fizike dhe taktike që ai kërkonte nga sulmuesi, veçanërisht sa i përket lëvizjeve drejt zonës së rreptësisë dhe presingut ndaj kundërshtarëve, transmeton Klankosova.tv.

“I thosha shpesh: ‘Ronnie, të gjithë duan të punojnë për të të vendosur në pozitën e duhur, por nëse nuk arrin të futesh në zonë, nuk mund të shënosh’. Ai nuk ishte në gjendje ta bënte këtë”, tregoi ish-trajneri i Manchester Unitedit.

Ten Hag këmbënguli se problemi nuk qëndronte te detyrat që i kërkonte Ronaldos, por te përgatitja dhe angazhimi i tij në fushë.

“Ai nuk vraponte as kur kishim topin, as kur nuk e kishim. Arsyeja ishte se nuk ishte përgatitur siç duhej”, deklaroi holandezi.

Ai shtoi se klubet e mëdha duhet të ndërtojnë lojën rreth futbollistëve të tyre më të mirë, por edhe yjet duhet të kontribuojnë për të mirën e ekipit.

“Çdo skuadër e madhe duhet ta pranojë lojtarin e saj më të mirë, por lojtari më i mirë duhet të punojë për ekipin. Për disa, Manchester Unitedi nuk ishte prioriteti kryesor”, përfundoi Ten Hag.

Konflikti që çoi në largimin e Ronaldos

Marrëdhënia mes Ronaldos dhe Ten Hagut u tensionua gjatë vitit 2022, kur portugezi ishte pjesë e Manchester Unitedit. Përplasja u përshkallëzua në tetor të atij viti, pasi sulmuesi refuzoi të hynte si zëvendësues në ndeshjen ndaj Tottenhamit.

Më pas, Ronaldo kritikoi publikisht klubin dhe trajnerin në një intervistë, duke e bërë edhe më të vështirë vazhdimin e bashkëpunimit.

Në nëntor të vitit 2022, Manchester Unitedi dhe Ronaldo njoftuan ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të përbashkët. Pas largimit nga “Old Trafford”, portugezi iu bashkua klubit saudit Al-Nassr.

Të ngjashme