Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ia ka komunikuar të martën, akuzat përfundimtare ish-zëvendëskryeministres së Shqipërisë, Belinda Balluku.
Sipas njoftimit të SPAK-ut, Balluku akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste.
Akuzohet edhe për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë.
Balluku akuzohet gjithashtu për mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave privatë, në dy raste, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, lidhur me dy pasuri të paluajtshme.
Në njoftim, SPAK-u bën të ditur se po vijon veprimet procedurale për t’ua komunikuar akuzat edhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale.
Prokuroria e Posaçme ka paralajmëruar se detaje të tjera lidhur me çështjen do të bëhen publike në një moment të mëvonshëm.