Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ndarë shqetësimin e saj pas një bisede telefonike me të atin, i cili u dënua nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ajo ka treguar se gjatë telefonatës, Krasniqi i ka thënë se kishte refuzuar kontrollin nga disa mjekë, duke shprehur pakënaqësinë e tij me trajtimin që, sipas tij, po i bëhet në Hagë.
“Para një muaji, Babi u dënua me 25 vjet burgim. Sot, gjatë një telefonate, më tha: “Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, thuhet në postimin e Gresës.
Ajo ka bërë të ditur se babai i saj i ka thënë se nuk do të pranojë më kujdes mjekësor nga institucionet e atjeshme.
Gresa tha është e shqetësuar, pasi siç u shpreh, babai i saj është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë.
“Por, si njeri që i kam kaluar 30 vitet e jetës sime duke e njohur dashurinë dhe lirinë, a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi?””
Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte? U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë. Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm.” Kaq pata fuqi t’i them. Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi”, ka shkruar Gresa.