FSK-ja për herë të parë në trajnimin ushtarak në Qendrën “Marko Babić” në Kroaci

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë për herë të parë në trajnimin për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë, të organizuar në Qendrën “Marko Babić” të Ushtrisë Kroate.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili njoftoi se trajnimi u përmbyll pas një marshimi taktik prej 88 kilometrash, nga Udbina deri te Kalaja e Kninit.

Në këtë program, ushtarakët e FSK-së u stërvitën së bashku me kolegë nga Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Sipas Maqedoncit, ky ishte numri më i madh i pjesëmarrësve të huaj në këtë trajnim deri më tani.

Marshimi përmbyllës kishte edhe rëndësi simbolike, pasi nderonte historinë dhe sakrificën e popullit kroat gjatë Luftës Atdhetare.

Maqedonci theksoi se programi synon zhvillimin e qëndrueshmërisë fizike dhe mendore, aftësive drejtuese dhe marrjes së vendimeve në rrethana sfiduese.

Ai i përgëzoi pjesëtarët e FSK-së për përfaqësimin e tyre, duke vlerësuar se pjesëmarrja në këtë trajnim kontribuon në avancimin profesional të kuadrove ushtarake dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Maqedonci gjithashtu falënderoi homologun e tij kroat, Ivan Anušić, si dhe Ushtrinë Kroate për bashkëpunimin.

Të ngjashme