Paralajmërimi i AKB-së: 500 vende pune në rrezik në fabrikën “Vita”

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ngre shqetësimin për situatën në fabrikën “Vita”, ku rreth 500 vende pune të përhershme rrezikojnë të humbin për shkak të vendimeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe AVUK-ut, raporton Ekonomia Online.

“Është e papranueshme që prodhuesve vendorë t’u ndalohet përdorimi i vajit të palmës në nënproduktet e qumështit, ndërsa produkteve të importuara t’u lejohet kjo! Pse dy standarde për të njëjtin treg? Pse prodhuesi vendor penalizohet, ndërsa importi favorizohet? AKB kërkon nga Ministria e Bujqësisë dhe AVUK-u reagim të menjëhershëm, trajtim të barabartë dhe zgjidhje urgjente, për të mos lejuar që vendimet institucionale të rrezikojnë qindra vende pune dhe prodhimin vendor”, thuhet në reagim.

Sipas AKB-së, siguria ushqimore duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, si për produktet vendore, ashtu edhe për ato të importuara.

“Kjo fabrikë rrezikon të ikë në dy vende të tjera në Ballkanin Perëndimor dhe më tej, në Turqi”, thuhet tutje në reagim.

Të ngjashme