Nesër Termokosi ndërpret përkohësisht furnizimin me ngrohje

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar se furnizimi me ngrohje do të ndërpritet përkohësisht në orët e para të së shtunës, më 24 tetor, për shkak të ndaljes së kontrolluar të njësisë B2 të Termocentralit “Kosova B”.

Sipas njoftimit, ndalja e kësaj njësie do të pamundësojë furnizimin me avull, i cili shfrytëzohet për prodhimin e energjisë ngrohëse.

Gjatë kësaj periudhe, furnizimi me ngrohje do të vazhdojë vetëm për klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes ngrohtores që mbulon nevojat e kësaj qendre.

“Termokos” ka bërë të ditur se ndërprerja do të shfrytëzohet për të adresuar vështirësitë e paraqitura në qarkullimin e ngrohjes gjatë ditëve të para të këtij sezoni ngrohës.

“Kjo ndërprerje e përkohshme do të shfrytëzohet për të adresuar vështirësitë e paraqitura në qarkullimin e ngrohjes gjatë ditëve të para të këtij sezoni ngrohës.

NP “Termokos” do të jetë në koordinim të ngushtë me KEK-un për rikthimin e furnizimit me avull. Sapo të krijohen kushtet e nevojshme, do të ndërmerren të gjitha veprimet për rikthimin e furnizimit me ngrohje për të gjithë konsumatorët.

NP “Termokos” kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve dhe i falënderon për durimin gjatë kësaj ndërprerjeje të përkohshme”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme