Pacolli: KRM “Ambienti” në Pejë gjobitet me 3 mijë euro për parregullsi në deponinë e Sferkës

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Inspektorati i Mjedisit e ka gjobitur me 3 mijë euro ndërmarrjen KRM “Ambienti” në Pejë, për parregullsi në menaxhimin e deponisë së mbeturinave në Sferkë.

Përmes një postimi, Pacolli ka bërë të ditur se gjatë inspektimit janë evidentuar disa parregullsi në menaxhimin e deponisë, përfshirë grumbullimin e mbeturinave pa shtresim të rregullt me dhe.

“Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur me 3 mijë euro ndërmarrjen KRM ‘Ambienti’ në Pejë, për parregullsi në menaxhimin e deponisë së mbeturinave në Sferkë”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë inspektimit është konstatuar edhe tejmbushja e lagunës për grumbullimin e ujërave të ndotura, si dhe mungesa e mirëmbajtjes dhe kontrollit të sistemit të kullimit.

Ministrja ka theksuar se respektimi i obligimeve ligjore për mbrojtjen e mjedisit është i domosdoshëm.

“Mbrojtja e mjedisit dhe e ujërave nëntokësore është obligim ligjor që duhet të zbatohet nga të gjithë, pa përjashtim”, ka deklaruar Pacolli.

Të ngjashme