Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Inspektorati i Mjedisit e ka gjobitur me 3 mijë euro ndërmarrjen KRM “Ambienti” në Pejë, për parregullsi në menaxhimin e deponisë së mbeturinave në Sferkë.
Përmes një postimi, Pacolli ka bërë të ditur se gjatë inspektimit janë evidentuar disa parregullsi në menaxhimin e deponisë, përfshirë grumbullimin e mbeturinave pa shtresim të rregullt me dhe.
“Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur me 3 mijë euro ndërmarrjen KRM ‘Ambienti’ në Pejë, për parregullsi në menaxhimin e deponisë së mbeturinave në Sferkë”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë inspektimit është konstatuar edhe tejmbushja e lagunës për grumbullimin e ujërave të ndotura, si dhe mungesa e mirëmbajtjes dhe kontrollit të sistemit të kullimit.
Ministrja ka theksuar se respektimi i obligimeve ligjore për mbrojtjen e mjedisit është i domosdoshëm.
“Mbrojtja e mjedisit dhe e ujërave nëntokësore është obligim ligjor që duhet të zbatohet nga të gjithë, pa përjashtim”, ka deklaruar Pacolli.