Gjini u bën thirrje shqiptarëve në Luginë: Mos të mungojë asnjë votë në zgjedhjet e së dielës

Prishtinë | 24 Tet 2026 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të dalin në zgjedhjet që mbahen të dielën në Serbi dhe të votojnë kandidatët e tyre, me qëllim të rritjes së përfaqësimit politik, raporton Ekonomia Online.

Gjini ka thënë se Kosova duhet t’i ndihmojë shqiptarët në Luginë në mënyrën më të mirë të mundshme, pa ndërhyrje që mund të shkaktojnë përçarje mes tyre.

“Vëllëzrit tonë, në Luginën e Preshevës, edhe në disa zona të tjera, në Serbi, janë plotësisht të vetëdijshëm se çfarë duan me bo, Kosova duhet me i gjetë mënyrat, me e ndihmu në mënyrën më të mirë të mundshme, jo me u shti që po ndihmojmë, e me i përçarë. Se shpesh herë, për me i kamuflu interesat e këtuhit, politikanët kanë ditë me i përçarë njerëzit në luginë”, tha ai.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos e humbin mundësinë për të votuar dhe të synojnë rritjen e përfaqësimit të tyre në institucionet e Serbisë.

“Duhen me dalë me votu, me i votu kandidatët e vet, me e rritë numrin. Sa të jetë e mundshme, na e dimë që ka kufizime atje, me pasë përfaqësim me më shumë se 1 deputet nëse është e mundshme, po këto nuk kanë efekt, këto veprimet, se unë besoj që kanë me i marrë, nuk kanë efekt vetëm se rritet përfaqësimi. Kanë efekt edhe te ndjenja e njerëzve, ata nisin me u ni, të vlefshëm si individë, më të fuqishëm, edhe i thërras të gjithë, mos me e mungu asnjë votë, me e rritë fuqinë në trojet e veta. fundi fundit në tokë të veten janë, nuk janë në toka të huaja atje, në tokë të parëve të vet janë”, tha Gjini.

Të ngjashme