Shiroka Pula takon mërgatën në Hungari, u kërkon të investojnë në Kosovë

Prishtinë | 24 Tet 2026 | 21:23 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, gjatë qëndrimit në Hungari ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë atje, duke vlerësuar kontributin e tyre në historinë e Kosovës dhe në zhvillimin e vendit, si dhe duke i inkurajuar që të investojnë dhe të krijojnë partneritete afatgjata në Kosovë.

Takimi u mbajt në një pritje të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Budapest, ku presidentja vlerësoi rolin e mërgatës në rezistencën paqësore, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit.

Shiroka Pula çmoi gjithashtu përkushtimin e komunitetit kosovar në Hungari, duke theksuar se puna dhe suksesi i tyre ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

Ajo vlerësoi edhe praninë e rreth 300 studentëve nga Kosova në institucionet e arsimit të lartë në Hungari, duke shprehur shpresën që ata ta vënë dijen dhe përvojën e fituar në shërbim të vendit.

Presidentja u bëri thirrje bizneseve të mërgatës që të shqyrtojnë mundësitë për investime në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e përvojës dhe njohurive të tyre për zhvillimin e vendit.

“Vendi ka nevojë për përvojën, dijen dhe energjinë e bashkatdhetarëve të saj”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Në fund, Shiroka Pula i falënderoi bashkatdhetarët për kontributin e vazhdueshëm për Kosovën, duke theksuar se atdheu mbetet i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në të ardhmen e tij.

“Dyert e atdheut mbeten të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në të ardhmen e tij”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme