Kryetarja e Kuvendit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, me të cilin diskutoi për Raportin e Komisionit Evropian dhe punën që Kosova ka përpara në rrugën e saj drejt BE-së.
Në takim u diskutua veçanërisht për Agjendën e Reformave, Planin e Rritjes dhe rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve brenda afateve, si dhe për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryetarja e Kuvendit shprehu gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin mes Kuvendit dhe Zyrës së BE-së, sidomos në procesin legjislativ dhe mbikëqyrjen e zbatimit të reformave.
Ajo tha se tani që Kuvendi i është kthyer punës, ekzistojnë mundësinë për t’i dhënë një ritëm të ri reformave dhe për të shënuar përparim në fushat ku janë evidentuar ngecje.
“Rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon punë të vazhdueshme, përkushtim dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet. Besoj se me bashkëpunim dhe me angazhim të përbashkët mund të shënojmë përparim të dukshëm në reformat që i duhen vendit dhe qytetarëve tanë”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.