Çitaku: Ligji me ndryshime do të votohet, s’do të lëmë mjet pa përdorur për drejtësi në Hagë

Prishtinë | 05 Nën 2026 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK nuk ka hequr dorë nga nisma ligjore për Dhomat e Specializuara dhe se ligji vazhdon të jetë në procedurë parlamentare dhe kushtetuese.

Në një deklaratë për gjashtëvjetorin e arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Çitaku i ka cilësuar këto vite si jashtëzakonisht të vështira.

Sipas saj, katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë qenë të braktisur nga shteti, ndërsa aktgjykimin e 16 shtatorit e ka quajtur të padrejtë dhe të pabazuar në fakte.

“Është një ditë e rëndë për secilin prej nesh që i ka njohur dhe i njeh personalisht. Kanë qenë gjashtë vite jashtëzakonisht të vështira, në të cilat ne që i kemi pasë miq dhe bashkëpunëtorë, na është dashur të ecim nëpër teh të shpatës, duke u munduar që t’iu dalim në ndihmë dhe duke u përkujdesur që përgjatë rrugës nga vullneti i mirë të mos iu bëjmë dëm”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka thënë se verdikti i 16 shtatorit krijoi një ringjallje, një rilindje kombëtare e popullore dhe një solidarizim të pashoq të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe të shqiptarëve anë e kënd në mbështetje të luftës çlirimtare.

“Verdikti i 16 shtatorit nuk është një verdikt, një aktgjykim kundër katër burrave. Është aktgjykim kundër historisë, është i padrejtë dhe i pabazuar. Çfarë kërkon PDK është vendosja e drejtësisë, jo shmangia e saj. Nuk po kërkojmë të ikim nga drejtësia. Ne po kërkojmë drejtësi të bazuar në fakte. Është evidente edhe nga deklarata e kryetarit të gjykatës, por do të shihet qartë edhe kur të publikohet aktgjykimi i plotë, që është një aktgjykim i sajuar, i pabazuar në fakte dhe nuk përbën një ndëshkim individual. Por, në fakt është një gjykim që i bëhet historisë sonë”, ka deklaruar Çitaku.

Duke folur për nismën ligjore, Çitaku ka sqaruar se pas miratimit në lexim të dytë janë pranuar rekomandime për fuqizimin juridik të ligjit.

Ajo është shprehur e bindur se, nëse ruhet vullneti politik i 6 tetorit, ligji me ndryshimet e propozuara do të marrë sërish mbështetjen e Kuvendit. Çitaku ka folur edhe për mbështetjen financiare të mbrojtjes dhe punën e grupit punues, raporton KlanKosova.

Të ngjashme