Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Berlin (Berlin Security Conference), ku ka diskutuar për kërcënimet e sigurisë që burojnë nga ndërhyrjet ruse, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes, Maqedonci ishte i ftuar si panelist në debatin e nivelit të lartë me temën “Parandalimi përmes vigjilencës: Si të frenohet ndërhyrja ruse?”, së bashku me përfaqësues të lartë të NATO-s dhe Gjermanisë.
Gjatë diskutimit u trajtuan kërcënimet që burojnë nga ndërhyrjet dhe ndikimi rus, sfidat aktuale të sigurisë evropiane dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet aleatëve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Në kuadër të kësaj konference, Maqedonci zhvilloi edhe disa takime bilaterale me përfaqësues të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe NATO-s.
Në takimin me zëvendëskomandantin për Integrim në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), gjeneralmajor Christian Nawrat, u diskutua për prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes, planin strategjik katërvjeçar dhe zhvillimin e sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse.
“Po ashtu, u trajtua synimi i Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut (A5)”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërkaq, në takimin me ministrin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Florian Hahn, temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit në rajon, thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe forcimi i partneritetit në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake.
“Me këtë rast, ministri Hahn rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për proceset integruese dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës”, bëhet e ditur në komunikatë.
Maqedonci zhvilloi takim edhe me ambasadorin Detlef Wächter, përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë në NATO, ku u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, mundësive për trajnim, edukim dhe zhvillim profesional të pjesëtarëve të FSK-së përmes shkollave dhe kurseve të NATO-s, si dhe mbështetjes për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftim.
Një tjetër aktivitet i vizitës ishte pjesëmarrja në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të FSK-së, të organizuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kadetët kanë përfunduar me sukses studimet trevjeçare në akademitë ushtarake gjermane, në fushat e këmbësorisë, logjistikës, IT-së ushtarake dhe policisë ushtarake, ndërsa tash do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes ka vlerësuar se këto aktivitete dëshmojnë vazhdimin e partneritetit strategjik të Kosovës me Gjermaninë, SHBA-në dhe NATO-n, si dhe përkushtimin për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, forcimin e sigurisë rajonale dhe avancimin e integrimit euroatlantik të vendit.