Aktori, komediani dhe personaliteti mediatik britanik, Russell Brand, përballet me një dënim të gjatë me burg, pasi të enjten u shpall fajtor nga një gjykatë në Londër për përdhunimin e një fanseje të re dhe sulmin seksual ndaj tri grave të tjera.
Sipas CNN, Brand, 51 vjeç, u dënua për përdhunimin e një admirueseje 21-vjeçare në vitin 2009, pasi ishin takuar në një nga shfaqjet e tij në Londrën perëndimore. Ai u shpall gjithashtu fajtor për ngacmim seksual (prekje të pahijshme) ndaj një punonjëseje të MTV-së në një bar në qendër të Londrës në vitin 2004; për puthje dhe prekje ndaj një gruaje tjetër në vendin e saj të punës në vitin 2005; si dhe për sulm seksual ndaj një gruaje tjetër në vitin 2009, të cilën e kishte detyruar t’i bënte masazh.
Sipas Shërbimit Policor Metropolitan të Londrës, pas dënimit të komedianit, Brand – i cili më parë ka qenë i martuar me yllin amerikan të pop-it, Katy Perry – “e përdori ndikimin, statusin dhe famën e tij për të shfrytëzuar dhe për të kryer vepra seksuale të dëmshme ndaj grave”.
“Me rritjen e famës së tij, u rrit edhe ndjesia se ai kishte të drejtë të bënte çfarë të donte. Shpresoj se ky dënim përcjell një mesazh të qartë: askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht se sa i famshëm apo i fuqishëm mund të jetë”, deklaroi në një njoftim mbikëqyrësi detektiv Andy Furphy.